Janë bërë pothuajse një muaj që kur Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka marrë vendim që rasti i Astrit Deharit të kalojë nga Prokuroria Themelore në Prizren në juridiksion të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Por që nga atëherë, Prokuroria Speciale ende nuk ka nxjerrë një aktvendim se deri ku ka shkuar procesi i hetimeve.
Avokati i familjes së Astrit Deharit, Tomë Gashi, thotë se kjo prokurori nuk e ka luksin që ta stërgjatë këtë proces dhe që javën tjetër në bazë të kompetencave të tij do të ndërmarrë veprime të caktuara juridike.
“Edhe pse tani është bërë 1 muaj, Prokuroria Speciale ende nuk ka nxjerrë një aktvendim për zhvillimin e hetimeve me të cilin faktikisht do të fillonin hetime për identifikimin e vrasësve të Astrit Deharit, për identifikimin e shtytësve në vrasje dhe posaçërisht për ata që kanë fshehur vrasjen për më tepër se tri vjet. Deri më tani kemi dërguar tri kërkesa dhe të gjitha kërkesat që janë dërguar për të gjitha në formë të shkruar është njoftuar edhe kryeprokurori Aleksandër Lumezi dhe ne faktikisht nuk kemi çka të presim më tepër. Qysh javën e ardhshme do të ndërmarrim veprime të tjera të caktuara ligjore që prokuroria të vihet në funksion të ligjit në funksion të vetvetes dhe të mos e mbajë lëndën që ka marrë prej Prokurorisë në Prizren. Nuk ka kurrfarë arsye ta mbajë lëndën të tillë pa nxjerrë një aktvendim për zhvillimin e hetimeve në drejtim të identifikimit të vrasësve të Astrit Deharit”, theksoi Gashi, për Ekonomia Online.