Mijëra protestues dolën përsëri në rrugët e Tbilisit me thirrjet për zgjedhje të parakohshme. Përplasjet u përshkallëzuan një ditë pas fjalimit në sallën e parlamentit të Gjeorgjisë të deputetit rus, rus Sergei Gavrilov.

Protesta e të premtes u zhvillua e qetë, ndryshe nga ajo e së enjtes ku rreth 10,000 njerëz dolën në rrugë. Në kryeqytetin gjeorgjian u shënuan skena kaotike, ku policia  përdori plumba gome, ndërsa u raportuan shumë arrestime.

Ndërkohë, kryetari i parlamentit Irakli Kobakhidze, anëtar i partisë në pushtet “Ëndrra e Gjeorgjisë”, dha dorëheqjen pas një takimi të jashtëzakonshëm me krerët e partisë. Kobakhidze theksoi se dha dorëheqjen si shenjë e “përgjegjësisë së lartë”, dhe jo sepse iu nënshtrua “kërkesave të papërgjegjshme të partive opozitare”. Nga përplasjet pati 240 të plagosur, duke përfshirë 80 oficerë policie dhe 305 të arrestuar.