Jane Setter*

Mënyra se si flet një njeri është pjesë e brendshme e identitetit të tij. Ajo shenjon folësin duke përcaktuar se cilit grup shoqëror i përket. Thekset janë shenjë e përkatësisë po aq sa një element që ndan komunitetet.

Megjithatë, shumë prej nesh njohin plot njerëz që e kanë “humbur” theksin e tyre rajonal ose kombëtar dhe të tjerë, theksi i të cilëve vijon të mbetet i fortë.

Duke pasur parasysh rëndësinë personale dhe shoqërore të mënyrës sesi dikush flet, pse një individ e ndryshon theksin?

Ju mund ta mendoni theksin tuaj si pjesë fizike të asaj që jeni – por një dëshirë e vetëdijshme ose jo, për t’u përshtatur, mund të ndikojë në mënyrën se si flisni, pavarësisht nëse dëshironi apo jo. Hulumtimet kanë treguar se theksi i një personi do të shkojë drejt atij të grupit të folësve me të cilët ata identifikohen në një fazë të jetës së tyre. Thekset janë një tipar fluid i të folurit. Nëse dikush lëviz nga Australia në SHBA për të punuar, për shembull, me shumë gjasa, më e pakta, ai do të ndryshojë theksin, me vetëdije ose pa vetëdije.

Kjo mund të jetë nga nevoja ose dëshira për t’u kuptuar më qartë dhe për t’u pranuar në një komunitet të ri. Ata gjithashtu mund të duan të shmangin talljet për mënyrën se si flasin.

Ndjenjë përkatësie

Për njerëzit, theksi i të cilëve ndryshon, mënyra se si ata flasin mund të jetë më pak e rëndësishme për sensin e tyre të identitetit, ose identiteti i tyre me një grup social ose profesional mund të jetë më shtypës.

Ende para se të lindim, ne ekspozohemi ndaj modeleve të të folurit të atyre që na rrethojnë. Studimet me të porsalindur kanë zbuluar se është e mundur të zbulohen aspektet specifike tonale për komunitetet e tyre të të folurit nga të qarat e tyre. Për të përmbushur nevojat tona, ne jemi pak a shumë të programuar të përshtatemi. Ne prodhojmë vokalizime që duken sikur i përkasin komuniteteve të kujdestarëve tanë. Ne përparojmë nëpër faza të ndryshme të zhvillimit të të folurit që rezultojnë në modele të të folurit të ngjashme me ata që na rrethojnë.

Ndërsa bëhemi pjesë e shoqërisë, ne përzihemi me njerëz jashtë grupit tonë të kufizuar shoqëror dhe jemi të ekspozuar ndaj më shumë modeleve të të folurit. Kjo mund të rezultojë në ndryshimin e shpejtë të theksit të fëmijës për t’u pranuar nga bashkëmoshatarët. Një kolegu im nga SHBA, për shembull, i cili punon në MB, më tregoi se si fëmija i tyre kishte filluar të fliste me një theks standard të anglishtes jugore që nga fillimi i shkollës. Prindërit më pas u mësuan prej fëmijës të flisnin anglishten në mënyrën e duhur.

Identitet i fortë

Ndërsa sa u takon atyre që nuk e ndryshojnë theksin, kjo mund të vijë për shkak të sigurisë që kanë për identitetin e tyre dhe theksi është pjesë e rëndësishme e këtij identiteti – ose se ruajtja e kësaj divergjence ka vlerë për ta. Ata madje nuk mund të jenë të vetëdijshëm se sa shumë do të thotë për ta theksi i tyre. Nëse një folës ka atë që shumica e konsideron theks të dëshirueshëm, ai mund të mos dojë ta humbasë avantazhin duke e modifikuar atë.

Pavarësisht nëse me vetëdije apo jo, njerëzit kanë të paktën njëfarë kontrolli mbi të folurit e tyre kur zhvendosen për të banuar diku tjetër. Por dëmtimi i trurit ose goditja në tru, në raste të rralla, mund të rezultojë në sindromën e theksit të huaj (FAS). Kjo sindromë vjen si pasojë e ndryshimeve fizike që nuk janë nën kontrollin e folësit. Disa zona në tru janë të lidhura me prodhimin dhe perceptimin e gjuhës, dhe ne gjithashtu kemi rajone të trurit që kontrollojnë aspektet motorike të të folurit.

Nëse këto janë të dëmtuara, folësit mund të humbasin aftësinë për të folur ose të përjetojnë ndryshime në mënyrën se si artikulojnë tingujt, sepse zona motorike po dërgon udhëzime të ndryshme te organet vokale. Një shembull ekstrem, i raportuar së fundmi në “The Metro”, tregon se si një grua, Abby French, nga Teksasi, SHBA, u zgjua pas operacionit me sindromën e theksit të huaj.

Ajo pretendoi se e folura e saj tingëllonte në çdo kohë si ruse, ukrainase ose australiane. Dëgjuesit priren të marrin me mend theksin nga ajo që ata mendojnë se i ngjan ligjërimi i ndryshuar.

Në disa raste, dëgjuesit mund të diskriminojnë një person me FAS pasi besojnë se ai është i huaj, gjë që tregon se sa mund ta ndikojë ligjërimi ynë në mënyrën se si na trajtojnë të tjerët. Nuk është çudi që shumë njerëz në mënyrë të pandërgjegjshme mbrojnë veten duke ia përshtatur të folurin e tyre njerëzve që i rrethojnë.

*Jane Setter është profesoreshë e Fonetikës në Universitetin e Reading. / The Conversation