Pse disa njerëz vonohen? Vonohen në kafene, vonohen në takimin për të shkuar në kafene, vonohen në takime, vonohen gjithkund?

Epo, ja ku e keni artikullin në fjalë që fillon me “Nganjëherë”.

Nganjëherë, ndonjë prej klientëve të mi të psikoterapisë vonohet. Nëse ndodh veç një herë, nuk i jap fort rëndësi. Por, disa klientë janë gjithnjë vonë – ndoshta veç pesë minuta, apo dhjetë, por gjithnjëëëë – dhe gjithnjë duke u ngutur e duke mos u ngirë me frymë kur e çelin derën. Kjo më bëri kureshtare të dija se çfarë fshihej prapa strukturës së vonesave të tyre, çka do të thotë kjo dhe çfarë qëllimesh iu shërben.

Ka ndoshta po aq arsye për vonesat sa ka njerëz që janë me vonesë. Nganjëherë kjo është e padepërtueshme, por jo gjithnjë. Një klientit iu kujtua se nëna e tij kalonte tepër shumë kohë në banjë sa e çonte vonë në shkollë. Ajo i thoshte atij se kjo [vonesa] s’kishte rëndësi, dhe se njerëzit që mbërrinin me kohë kishin ankth gjithsesi. Në pavetëdijen e tij, të ishe me kohë në një takim nënkuptonte të ishte jobesnik ndaj nënës së tij, e prandaj ishte gjë e keqe. Tamam kur e gjeti këtë shpjegim, e humbi detyrimin për të qenë vonë.

Njerëzit që mbërrijnë me kohë mund të besojnë se njerëzit që mbërrijnë me vonesë janë pasivë-agresivë dhe që mendojnë se koha e tyre është më e vlefshme se koha e atyre që i presin. Por, arsyet për vonesat janë përgjithësisht më komplekse. Arsyeja mund të jetë e kundërta e arrogancës. Mund të jetë që ata nuk e vlerësojnë veten e tyre mjaftueshëm. Nëse ky është shpjegimi, pse nuk e shohin që po i dëmtojnë të tjerët duke u vonuar?

Ky shpjegim mund të funksionojë për situata shoqërore, por pse të vonohesh e të humbësh fluturimin me aeroplan, lundrimin me anije, trenin apo autobusin? Ndoshta është një testim i pavetëdijshëm i teorisë: “Nëse unë jam një person me vlerë, treni do të më priste mua.” Meqë treni nuk t’i vetë letrat atëherë ndjenja e parëndësisë i përforcohet.

Një klientes po mundohesha t’ia hiqja përpjekjet e saj për ta rrënuar suksesin në karrierë, dhe vonesat e saj ishin pjesë e këtyre përpjekjeve vetë-rrënuese. Kur zbuluam çka do të thoshte suksesi për të, ajo më rrëfeu një besim të moçëm familjar sipas së cilit njerëzit me para ishin njerëz të këqij. E ndodhur mes dy zgjedhjeve, të mos përparonte apo të bëhej e keqe, nuk është e habitshme që ajo vazhdoi me programin vetë-rrënues.

Njerëzit që vonohen shpesh duken mjaft rrezëllitës. Ata janë paarsyeshëm optimistë dhe llogarisin keq kohën prej një lokacioni në tjetrin. Redaktorja ime dhe unë hamë drekë në kafenenë pranë zyrës së saj dhe ajo gjithnjë vonohet për shatë minuta, sepse largohet nga zyra në orën 1. Mendoj se ajo beson që e posedon një teleporter, e megjithatë, vjen shtatë minuta me vonesë. Po konsideroj që edhe unë të shkoj shtatë minuta me vonesë, ama si një njeri i hershëm dhe me setin e vet të neurozave, kjo do të më mbushte me ankth.

Vonshmëria mund të shkaktohet edhe nga ngurrimi ynë për të ndryshuar marshet – për t’i dhënë fund një aktiviteti dhe për të filluar tjetrin. Nuk na pëlqen të ngrihemi nga shtrati, dhe përfundojmë duke e vazhduar gjumin. Nganjëherë diçka që na absorbon duke e bërë dhe çkado tjetër mund të na duket si e bezdisshme. Duhet vullnet i fortë për të vazhduar. Por nëse nuk ndryshojmë marshet me kohë kur dikush na pret, atëherë jemi në rrezik të gjykohemi si vetjakë.

Disa njerëz të vonshëm zgjedhin ta pranojnë se janë vonshëm dhe se nuk mund të bëjnë asgjë që të përmirësohen. E në anën tjetër, njerëzit që vijnë me kohë nëpër takime besojnë se njerëzit që vijnë me vonesë mund të zgjedhin të vijnë me kohë por nuk e bëjnë.

Veç kur njerëzit që vijnë me vonesë vendosin të vijnë me kohë atëherë çdo gjë ndryshon. Duhet të jetë një vendim i ndërgjegjshëm; nëse thjesht bëjnë një përpjekje sipërfaqësore për të qenë në kohë, thjesht nuk do të jenë.