Pse kjo pyetje nga MekuliPress.com?
Sepse sot mediat në Kosovë e Shqipëri, kryesisht, nuk informojnë, por ushtrojnë dhunë verbale, nxisin agresivitet, ndasi, konflikte, sherr e britma.
E bëjmë këtë pyetje,
sepse televizionet, portalet dhe radiot kriminale e të kapura të Prishtinës dhe Tiranës po dehumanizojnë politikanët që e luftojnë plaçkitjen dhe korrupsionin.
Pyesim me shumë shqetësim,
sepse këto radio, televizione dhe portale janë aktorë aktivë, të korruptuar e të rrezikshëm në politikë, ekonomi e kulturë.
E shtrojmë këtë pyetje,
sepse në vend të vlerave njerëzore, ju po promovoni pasurimin e shpejtë pa norma, pa etikë e pa turp.
Ne pyesim të trishtuar,
sepse po e bombardoni popullin (fëmiun dhe rininë) me gjuhë agresive, me dhunë, rrena dhe me mesazhe ku droga, rakia, kallashnikovi, vrasja, seksi, sperma, pornografia e Serbia paraqiten si vlera, normalitet e salltanet.
E shtrojmë këtë pyetje,
sepse ju po promovoni një botë materialiste të egër dhe banalitet kulturor që po e shkatërron kombin e shoqërinë.
Dhe, gjithsesi, e shtrojmë këtë pyetje të rëndë e të tmershme,
sepse AGK-ja po hesht dhe nuk e ka bërë ende këtë pyetje të domosdoshme. Ne, publiku dhe gazetarët profesionistë, nuk e dimë nëse kjo heshtje e AGK-së vjen nga tuta apo është mbështetje dhelpërake për këto media kriminale e të degjeneruara.
MekuliPress, pra pyet: A ka televizione, portale dhe radio kriminale në Kosovë e Shqipëri? E nëse ka, a duhet bojkotuar?/MekuliPress.com/