Sead Zimeri
Jemi formuar si popull i traumatizuar, i shtypur, i braktisur dhe i uritur. Qysh si fëmijë në vitet e 80-ta të shekullit të kaluar e mbaj mend që politika ishte tema ndoshta e vetme e çdo familje shqiptare. Qëndronim të ngulitur para televizorit në orët e lajmeve të mbrëmjes saqë edhe ne si fëmijë e dinim që kjo ishte kohë e shenjtë dhe zhurma ishte plotësisht e ndaluar. Nuk i harroj për asnjë moment ankthet dhe shqetësimet që ndjenim kur i dëgjonim politikanët e Beogradit që flisnin për separatizmin dhe irredentizmin shqiptar, se si e dërgonin policinë në aksione kundër separatistëve shqiptarë. Nuk i harroj as ankthet të shkaktuara nga politikanët në Shkup që luftonin kundër shqiptarëve në Maqedoni, kundër të drejtës për arsim të lartë në gjuhën shqipe. Qeveria Cërvenkovski, në dhjetor të vitit 1994, para hapjes së Universitetit të Tetovës, dërgoi buldozerë për t’i rrënuar objektet ku parashihej të mbahen ligjëratat universitare. Në përleshje me policinë pati edhe protestues shqiptarë të vrarë. Pastaj gjatë kryengritjes së vitit 2001 zonat shqiptare u shndërruan në fushëbeteja lufte.
Shqiptarët ishin të shtypur, të izoluar, të pa punë. Dëshironin të na mbanin në gjendje gjysëm-skllavërie, të paedukuar, pa ambiente kulture, pa kulturë të përbashkët, si qytetarë të rendit të tretë. Ne u rritëm dhe u edukuam në një frymë të terrorizmit sllav mbi ne. Si kundërpërgjigje e shtypjes sllave ne u izoluam edhe më tepër, u tërhoqëm në vetvete, të paedukuar dhe të pashkollë, dhe një numër i madh nga ne u larguan nga vendlindja për të siguruar një jetë më të mirë diku tjetër. Ne u mbyllëm në vetvete, në mitet tona, në folklorin tonë historik, në injorancën tonë, sepse ashtu na detyroi të bënim sundimi sllav. Dëshiruan të na detyrojnë të shpërngulemi nga vendet tona, të na i rrëzojnë muret përreth shtëpive tona, të na i sterilizojnë gratë sepse po lindnin më shumë fëmijë se gratë sllave, dhe ndërhynë në të drejtën e emërtimit të fëmijëve tanë.
Ne shqiptarët gjatë komunizmit jugosllav, por edhe më pas, kemi kultivuar vetëdijen kombëtare përmes miteve dhe traditave folklorike, si dhe këngëve patriotike që i këndonin lirisë dhe heronjëve kombëtar. Kultivimin e shqiptarisë nuk e bëmë sepse besuam në fuqinë magjike të saj. E bëmë sepse shqiptaria ishte emëruesi i përbashkët i shtypjes sonë. Nuk kishte rëndësi nëse ishe shqiptar i Kosovës apo i Maqedonisë: ti ishe shqiptar para së gjithash. Shqiptarinë ata na e impounan, por ne e kultivuam pastaj si zonë dhe hapësirë lirie, e identifikimit dhe solidarizimit me njëri tjetrin. Nacionalizmi jonë huk ishte provincial në kuptimin që ishte i ndryshëm prej Kosove në Maqedoni. Ishte i njëjti nacionalizëm, e njëjta psherrëtimë kundër shtypjes sllave. Fati jonë ishte i përbashkët. Ne nuk shihnim dallim mes shqiptarëve të Kosovës dhe atyre të Maqedonisë. Përkundrazi, ne tmerroheshim më shumë nga vuajtjet e shqiptarëve të Kosovës se nga vuajtjet tona, ndoshta ngaqë ne, në mënyrë naive, besonim që fati jonë është i përbashkët, që Çështja Shqiptare, edhe nëse nuk zgjidhet përnjëherë me Shqipërinë, nuk do të copëtohej mes Kosovës dhe Maqedonisë. Por ajo u copëtua. Shqiptarizmit që kultivuam dikur iu prenë krahët, dhe sot duket një endërr e vjetër, që mbahet gjallë nga shpresa e atyre që vujtën për shkak të shqiptarisë se një ditë ndoshta prap mund të bëhemi bashkë. Por kjo ëndërr gjithnjë e më shumë po zbehet sepse vuajtjet e përbashkëta po harrohen.
Politikat e tilla janë të njohura, por përjetimet tona të dhimbshme i kemi harruar. Por ne që i përjetuam gjatë ne nuk i harrojmë lehtë. Nuk harrohen momentet kur mblidheshim para televizorit bardh e zi për t’i ndëgjur lajmet që na tmerronin edhe më shumë; nuk harrohen momentet e tmerrit që ndjenim nga propaganda sllave kundër shqiptarëve që na përshkruanin si popull shpellar e të rrezikshëm; nuk harrohen momentet kur bëheshim bashkë me fqinjët tanë, me fytyra të brengosura, dhe bisedonin me orë të tëra për fatin tonë të pasigurtë: a thua çka do bëhet me ne? A do të na dëbojnë me dhunë? A do të na i vrasin fëmijët? A do të na i përdhunojnë gratë? Nuk harrohet për asnjë çast që temë kryesore e çdo familje shiptare gjatë bisedave të pas darkës ishte politika dhe vetëm politika e frikës. Këto momente nuk harrohen sepse janë pjesë e identitetit tonë. Ti ishe “shiptar” për ta, një qenie e pështirë dhe, rrjedhimisht, edhe ashtu të trajtonin.
Politikat tona ende nuk kanë arritur të çlirohen nga këto ankthe, dhe, ndoshta, një çlirimi të tillë ende nuk i ka ardhur koha. Sidomos shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, që në planin e të drejtave të tyre mbeten pas shqiptarëve të Kosovës. Nuk po dëshiroj t’i arsyetoj politikat irracionale që shpesh i bëjmë, e që shkojnë në dëmin tonë, por ato duhet kuptuar në kontekst të formimit tonë si popull i traumatizuar. Kujtesat e tilla negative e bëjnë pothujse të pamundur të mendojmë plotësisht racionalisht. Kam fjalën si popull e jo si individë. E megjithatë duhet të gjejmë mënyra të shkëputemi nga e kaluara e dhimbshme që të krijojmë një ardhmëri të përbashkët më të mirë.
Por nuk e shoh as si të arsyeshme e as si të domosdoshme që solidariteti kombëtar, shqiptaria pra, të shpërfillet apo të braktiset tërësisht. Janë historitë e vuajtjeve tona të përbashkëta në themel të solidarizimit tonë kombëtar. Unë ndjej shumëfish më shumë afërsi kulturore dhe shpirtërore me kosovarët se me bashkëqytetarët e mij maqedonas. Ndoshta ngaqë traumat janë skalitur në ndërgjegjen time, në kujtimet e mia, dhe do të ishte hipokrite nga unë të pretendoj që këto kujtime nuk ndikojnë në mënyrën se si unë i shoh marrëdhëniet e mia me shqiptarët tjerë. Për mua shqiptaria është vlerë e patejkalueshme.