Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka, përmes një shkrimi në Facebook, ka reaguar pasi Ministri i Arsimit, Ramë Likaj ka emëruar në Bordin e Universitetit të Pejës motrën e deputetit të AAK-së dhe Shefin e grupit të Këshilltarëve të AAK-së në Pejë.

Deputeti nga opozita, ani pse ka folur për këtë rast, ky i fundit nuk ka treguar se motra e cilit deputet dhe as nuk ka dhënë detaje tjera vetëm thënë se këto janë standardet e AAK-së.

Ja shkrimi i tij:

Pandemia nuk i ndalë!

Pasi që kanë zëvendësuar anëtarët e Këshillit Drejtues në Universitetin e Prishtinës dhe po përgatisin terrenin për të sjellë një rektor politik, kapja/politizimi i bordeve ka vazhduar me Universitetin e Pejës “Haxhi Zeka”.

Ministri plagjiat i Arsimit, ka shkarkuar bordin dhe ka emëruar tre anëtarë të rinj. Shefi i grupit të këshilltarëve të AAK-së në Pejë dhe motra e një deputeti të AAK-së qënkan emëruar në këtë bord. Për integritet akademik e moral mos të flasim. Për standardet e AAK-së mjafton që ta kenë përfunduar fakultetin.