Kreu i opozitës Basha po investohet me termin “Ndryshim”për 25 prillin. Nuk ka ndonjë gjetje në këtë mes. Parimisht e klasikisht, çdo forcë që tenton pushtetin pretendon ndryshimin. Këtë mund ta thotë dhe me fjalë, siç në rastin konkret. Ka një lehtësi të papërballueshme në artikulim, por nga ana tjetër ka një vështirësi po të papërballueshme në vërtetim.

Nëse t’i pretendon të ndryshosh Shqipërinë, më e pakta por thelbësorja është të provosh se ç’ndryshim ke bërë ti vetë, forca që ti drejton, gjatë 8 viteve në opozitë.

Koha në opozitë i nevojitet një force politike pikërisht dhe për këtë gjë; për të parë dhe riparë në qetësinë e mungesës së barrës së qeverisjes dhe vendimmarrjes atë çfarë ka bërë jo mirë ose keq, për t’iu nënshtruar më pas një “remonti kapital” të gjithçkaje që ngjan e konsumuar dhe vjetëruar. Duke ikur nga gjuha mekanike për të kaluar në atë etike, ky ndryshim, kjo erë ndryshimi nis më së pari nga një autopercepsion, i cili shoqërohet dhe me pendesë në raste konkrete. E ka bërë këtë dhe Berisha në 2004, në një strategji për t’iu afruar pushtetit, siç dhe u kurorëzua në 2005, teksa shpeshtoi artikulimin e një ndjese mbi lejimin e firmave piramidale, të cilat çuan në një zemërim popullor, sollën tragjedinë e ‘97 dhe e rrëzuan nga pushteti.

Basha, në 8 vite, s’e ka bërë për asnjë moment këtë gjë. Te Basha, autopercepsioni, vetëkritika, ndjesa, janë nocione krejt të huaja.

Pyetja bazë sot mbi të, aftësinë e vizionin e tij politik është: a është reformuar PD deri në pikën që meriton të marrë në dorë fatet e vendit? Ose thënë ndryshe: a ka ndryshuar PD që mëton të ndryshojë Shqipërinë?

Kur një forcë politike që ka udhëhequr për shumë vite synon rikthimin e sërishën, duhet ta ketë A të saj vetëkritikën, B ndjesën, C ridimensionimin moral. Pas këtyre vijnë të tjerat, të cilat finalizohen me ridimensionimin politik, freskimin e përfaqësimit të kapaciteteve njerëzore dhe kurimin ligjërimor në sferën komunikative. Por në 8 vite nuk ka ndodhur asgjë prej tyre; PD, edhe me Bashën, vijon të jetë recidivi i vetevetes, e vetëdënuar në fosilizim, kur e gjithë energjia shkon në sulm ndaj kundërshtarit.

Madje duket se kredoja e fshehur e PD qyshse ra nga pushteti, është: sulmo, akuzo, nxij gjithçka, mbill sa më shumë pezm e neveri, pamundëso qeverisjen normale.

A ka ekzistuar kjo dhe te opozita e djeshme sot në pushtet? Po, por jo deri kaq në ekstrem, ku më e pakta ka qenë e kombinuar me një vizion të reformuar politik, duke nisur nga “atvrasja” e nevojshme, gjë që te Basha apo PD është e paimagjinueshme në raport me atin, Berishën.

Ndaj sërish kthehemi të pyetja: thua se do ndryshosh Shqipërinë, por çfarë ka ndryshuar te ty më parë?

Te ç’detaj apo tregues duhet marër garancia e këtij ndryshimi?

Edhe sikur te qe vetëm për fjalë, edhe ato janë tejet të varfra, pa shije inspiruese.

Ligjërimi opozitar vuan llahtarisht nga mosthënit kurrë të gjërave të mençura, morale jo e jo!