Flod Maloku

Nocioni i lirisë është fundamenti në të cilën qenia potencialisht hapë shtigjet drejt shpalosjes, në thelb, është edhe kushti parësor për një gjë të tillë. Po, qenia e lëshuar në ujin e lirisë, nuk garanton përbushjen e saj me përmbajtjën, që qenien do ta çlirojë nga të qenit vetëm qenie.

Në “Enciklopedinë e Shkencave Filozofike” Hegeli thotë: “Qenia dhe hiçi janë po e njejta gjë” Si mund të kuptohet një gjë e tillë?  Në njërën anë, qenia është gjithçkaja e çdo gjëje që është, meqenëse është, është në lidhje me gjithçka tjetër në një formë, në këtë formë, gjithçka është tërësia. E qenia si tërësia, nuk mund të jap më pak se sa të tërën, e kur e tëra jepet njëkohshëm si lëvizje, ajo vërbon gjithçka përballë si mangësi të kapjes e nxënies së të tërës në një. Njëashtu, sikurse shikojmë diellin drejtpërdrejt e tërësia e saj na vërbon, në të njejten kohë qenia si e tillë asgjë nuk tregon. Pra, mendimi i qenies së kulluar rezulton të jetë plotësisht bosh, e çka në këtë mendim të kulluar mendohet, është në të vërtet hiçi. Përcaktimi i qenies së kulluar dhe hiçit të kulluar përfundojnë si po të njëjtat dhe mendimi i qenies së kulluar me atë të hiçit të kulluar na del të jetë identik.

Pra, si qenie të kulluara ne nuk mund të përmbajmë kualitete me të cilat identifikohemi e biejmë, nga abstraksioni i kulluar në përmbajtjen e lidhjeve komplekse ndërmjet kualtiteteve e gjësendeve të ndryshme e të përcaktuara.

E në të njejtën kohë abstrahimi i nocioneve konkrete, si fenomenet e ndryshme shoqërore, si situatat e caktuara historike, si emri dhe mbiemri i përveçëm që qëndron mbi një veprimtari kronologjikisht të dokumentuar e rrjetësisht të lidhur me prodhimin e momentumeve politike e sociale, nuk aludon në analizën e vërtet e objektive të objektit si të tillë, sa reflekton në çdo formë të saj një vetëamnisti. Abstrahimet e tilla, të kapura nga ndonjë ngjarje a situatë, kanë validitetin e mendimit vetëm përmes metodës se reduksionizmit fenomenologjik, që njëmendtë të rënohet korruptimi i ngjarjes a situatës përmes abstrahimit në mbrojten e personit ose situatës. Pra, përmes reduksionizmit e zhvendosim apriori nga diskursi, që më pas qetësisht të operojmë mbi dhe në të.

Rëndësia e lirisë, është po aq afirmative sa edhe negative, në të parën qenies i hapë rrugët drejt konkretësisë e realizimit, e në të dytën e privon nga një gjë e tillë, duke e mbajtë nën grilat e potencës së të parës. Në të dyja rrafshet liria është kualitet fillestar, që duhet të rezultoj si qëllim përfundimtar.

Në qiellin e abstrahimeve, lehtë e vërteta konkrete rrëshqet në gjysmën e saj e edhe në të kundërtën, sikurse mendimi që mund të thyhet e të shkëputet nga vetja e tij e t’i hidhet velloja e opinionit.

Qenia duhet të aludojë të përmbushë qenien, më shumë se sa të mbetet vetëm qenie. Sado që,  burgosja në trup shpërfaqë një konkretësi, ajo jo gjithmonë është e tillë, ajo është urëlidhesja që qenien ta reduktosh në kualitete, rrjetëzime e interferime komplekse mendimesh e përjetimesh, që të realizohet një e bërë e re, si një e vërtet konkrete me shkallë abstrakte.

Po, duke u fshehur në fund pas saj, pra qenies, e për të ra në hiç, siç u tha më lartë, jeta do të jetë një e humbur, e kuptuar kurrë dhe e realizuar asnjëherë, të burgosur në impersonalizmin, ku natyrshëm, as vetën nuk njeh.