Qeset të cilat më herët merreshin falas dhe hudheshin gjithandej nëpër rrugë e në natyrë, tani duhet paguar.

Nëpër supermarketet e vendit, tani këto qese, tani e tutje me shumë të drejtë, duhet paguar 5 cent. Kështu praktikohet në të gjitha shtetet perëndimore, shkruan MekuliPress.

Por është për tu habitur se si kundër këtij vendimi të Qeverisë që qeset e plastikës të mos jepen falas, ka dalë Shoqata e Konsumatorëve të Kosovës.

“Këtë barrë të mbrojtjes së mjedisit nuk ka të drejtë askush t’ia ngarkojë vetëm qytetarit konsumator”, ka thënë për Teve 1, Selatin Kaçaniku nga kjo shoqatë.

E për profesorin e mjedisit, Sami Makolli, çmimi 5 cent është i ulët për të arritur efektin e largimi të qeseve të plastike nga përdorimi.

Ndërkohë, në Udhëzimin Administrativ për qesen e plastikës, të miratuar nga Qeveria e Kosovës, qeset nga 25 deri në 50 micron do të kushtojnë 5 cent. Ndërsa qeset nga 0 deri 25 micron janë ndalur të përdoren.