Në Kosovë ka zhvillime të mëdha që kanë tërhequr vëmendjen e mbarë perëndimit. Siç mund të merret me mend një kalama i përkëdhelur si kryeministri Edi Rama nuk mund të qëndrojë jashtë. Ai po ulet në një tryezë ku nuk e fton kush dhe këtë e deklaroi gjatë intervistës në “Opinion” kur deklaroi se kishte takuar në Bratislavë dhe Moldavi, Kurtin dhe Osmanin, por nuk kishin folur për situatën në Veri sepse pala kosovare nuk e kishte hapur atë diskutim. Një bllok i qartë ky përkundrejt dikujt që e ka çdo gjë teatër personal.

Dje ose sot, z. Rama ka folur për BBC-në, në cilësi që nuk dihet se cila është.  Fjalët e z. Rama kanë vlerë sepse rezonojnë me kërkesën serbe për largimin e forcave policore nga Veriu i Kosovës, çka do të shënonte një fitore të tyre në aspektin e kontrollit të territorit. Ndër të tjera z. Rama ka thënë:

Ishte mirë që u mbajtën zgjedhje dhe që u tregua që askush nuk mund t’i mbajë peng proceset demokratike në një vend të pavarur, por nuk ishte ide e mirë që të këmbëngulej hyrja e këtyre kryetarëve në komuna boshe me ndihmën e policisë dhe me ndërhyrjen e KFOR dhe lëndimin e ushtarëve.

Tani, zgjedhjet në një demokraci nuk janë gjest, janë paradigma. Dhe kur thuhet që të zgjedhurit kanë mandat të kufizuar është pikërisht për të njohur legjitimitetin e tyre administrativ, jo atë politik. Kaq kuptohet, por këtu diskutimi ështs sesi të mbulohet një gabim i Serbisë, siç ishte dorëheqja dhe bojkoti, gabim i cili u pasua nga faji i sulmeve ndaj policisë dhe KFOR.

Pse nuk flet analisti Edi Rama, se vetëm këtë cilësi ka i ziu në këtë mesele, për sulmet e dhunshme? Pse nuk flasin as aleatët? Pse heshtet për elementin kryesor të situatës së krijuar, që përbën aktakuzë ndaj Serbisë? Pse shqetësohet Serbia nga publikimi i emrave? Pse e quan atë listë pushkatimi? Sepse nuk i mbron dot më njerëzit e vet dhe këtë e ka të qartë.

Si mundet të ndash një situatë në dysh duke e fokusuar të ashtuquajturën zgjidhje në tryezë jashtë prerogativave të ligjit? Apo se kështu e duam me Beogradin? Se Kosova është gjoja shtet?

Ka patur shumë jovertebrorë ky vend, në krye madje, por kësaj radhe problemi qëndron se vizionet e këtyre akrobatëve të politikës së madhe ndeshen te një qëndrim nga Prishtina që është fare i thjeshtë: secili të marrë përgjegjësitë e veta. Kaq. Pastaj se lehin në Tiranë, apo këndojnë qyqet, kjo aq bën. Të hiros pak humorin se të kujton ligësinë e rrënjosur këtu, por kalon.

s.zaimi