Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, e ka cilësuar taktikë të Serbisë ndalimin e drejtorit të Administratës në Komunën e Leposaviqit, Nikolla Radimiroviq.

Rashiq tha në një konferencë shtypi se kjo taktikë ndiqet nga pala serbe prej 7-8 vjetësh.

“Është një metodologji që po zbatohet që 7-8 vjet. Çdoherë që jam përpjekur ta kaloj kufirin, jam ndaluar për disa orë. Për këtë nuk ekziston asnjë bazë ligjore, asnjë deklaratë apo padi nga ana e policisë. Ky është kulmi i asaj metodologjisë së vjetër që aplikohet për 7-8 vjet për mua dhe bashkëpunëtorët e mi. Kjo është mënyrë e thjeshtë e frikësimit dhe tensionimit”, ka thënë ai.

Rashiqi ka thënë se Radimiroviq do të mbahet në paraburgim së paku deri të hënën.

“Ka ndodhur së pari një ndalim në pikën kufitare, është mbajtur aty 4 orë, është marrë në pyetje prej anës së personave që e kanë prezantuar vetëm si anëtarë të BIA-s. Pas një kohe të gjatë, prej 9:30 është marrë në pyetje deri në orën 19:00-20:00, prej atyre organeve që e kanë transferuar në stacionin e policisë në Rashkë dhe prej atij momenti po mbahet atje dhe sipas informacioneve do të jetë aty së paku deri të hënën pasi gjyqtari nuk është aty dhe kur të vijë të hënën do të merret me rastin. Po guxoj të supozoj që kjo është një prej pjesës së metodologjisë shantazhuese”, ka thënë ai.