Rome, grua, dhe lajmi i rremë, të treja këto tipare të ndërlidhura u bënë shtysë që një grua rome të sulmohej duke u stigmatizuar padrejtësisht, kinse ishte “vjedhëse fëmijësh”. Ajo u sulmua dy herë nga të rinj, në vende të ndryshme. Veprime të tilla janë të papranueshme dhe kërcënuese për gratë, aq më shumë për ato që i përkasin komuniteteve të diskriminuara etnikisht dhe ekonomikisht.

Fakti që dhuna është ushtruar nga të rinj hedh një hije të keqe mbi sistemin arsimor të Kosovës. Arsimi dhe edukimi i dobët mbjellin urrejtje të fortë.

Ndërsa nxitja e sulmeve nga shpërndarja e një lajmi të rremë nga disa media, kinse kjo grua përbën rrezik për shoqërinë tregon se mungesa e etikës dhe e profesionalitetit te disa nga mediat, është bërë rrezik për jetën.

Edhe nëse lajmi do të ishte i vërtetë, askush nuk ka të drejtë të marrë drejtësinë në duar private dhe të marrë të drejtën të dhunojë një njeri tjetër.

Lajmi ishte nxitje, por jo shkak kryesor i dhunës, racizmi dhe seksizmi ishin shkaqet që e mundësuan atë. Ajo është edhe rome edhe grua, pra dy shtypje e diskriminime bëhen bashkë në rastin e saj. Urrejtja gjinore dhe racore është shenjë e një shoqërie të dobët. Nëse thjeshtë ekzistenca e dikujt që duket dhe është ndryshe nga shumica jonë na bën të ndihemi të kërcënuar kjo tregon se frika na e ka mbytur jetën tonë shoqërore. Urrejtja e pamundëson jetën, tjetri e mundëson atë. Problemet nuk na i sjellin ata që duken apo janë ndryshe nga ne, ato duhet të mësohemi t’i gjejmë e t’i shërojmë në mesin tonë.

Populli shqiptar i Kosovës e di më së miri dhe e ka vuajtur shumë dhunën sistemike dhe fizike të racizmit të shtetit serb. Shoqëria jonë duhet të dënojë ashpër sjellje të tilla që për bazë kanë urrejtjen racore e gjinore. Nuk mund të jemi të çliruar nëse shtypim. Ne nuk guxojmë të shtypim. Ne duhet të çlirohemi. Ne duhet ta synojmë dhe të nisemi nga barazia.

Ne i bëjmë thirrje organeve të rendit që të sigurojnë të drejtat e çdo qytetari ashtu siç e parasheh Kushtetuta jonë, ndërkaq personave që bënë këto gjeste raciste t’u jepet dënimi i merituar. Ndërkohë mediat që pa verifikim nxorën këto lajme duhet të përgjigjen para organeve përkatese.

Sekretariati i Gruas Aktiviste
Lëvizja Vetëvendosje