Arlind Manxhuka, zëdhënës i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se deklarata e zv.kryeministrit Besnik Bislimi për draft-marrëveshjen e arritur dje në Bruksel për targat e veturave është keqinterpretuar qëllimshëm.

Sipas Manxhukës prania e shtetit në pikat kufitare me Serbinë do të mbetet.

“Tri keqkuptime të qëllimshme nga deklarata e zv.kryeministrit Besnik Bislimi: 1. Në pikat kufitare do të jetë Policia e Kosovës, pra shteti i Kosovës, vetëm Njësia Speciale zëvendësohet me KFOR; 2. Parimi i reciprocitetit mbetet në fuqi, siç bëhet me targat e Kosovës do të bëhet edhe me ato të Serbisë; 3. Targat KM (akronimi serbisht për Komunën e Mitrovicës) nuk përbëjnë përjashtim, ato janë dhe mbeten ilegale për shtetin e Kosovës”, ka shkruar Manxhuka në fb, përcjell MekuliPress.