Nga: Gëzim Mekuli
/Magjistër i shkencave të mediave dhe retorikës, Universiteti i Oslos/

Në një botë ku liria e shtypit është një nga shtyllat e demokracisë, organizata si Reporterët pa Kufij (RPK) luajnë një rol thelbësor në monitorimin dhe promovimin e saj. Megjithatë, edhe këto organizata nuk janë të paprekshme nga kritikat, veçanërisht kur perceptohet se qasja e tyre është e njëanshme, joproporcionale dhe shpeshherë e ndikuar nga rrethana jashtë-gazetareske, pra politike. Rasti i Kosovës përbën një shembull domethënës që meriton vëmendje dhe një analizë kritike.

Pse e them këtë e pse mendoj kështu?

Metodologji e paqartë dhe mungesë konteksti lokal

Indeksi ‘Botëror i Lirisë së Shtypit’ që publikohet çdo vit nga “Reporterët pa kufijë”, përdorë një sistem pyetësorësh të mbushur nga gazetarë, ekspertë dhe aktivistë.

Megjithatë, mungon transparenca mbi përfaqësimin gjeografik, politik dhe profesional të respondentëve. Në rastin e Kosovës, nuk dihet qartë kush janë kontribuuesit, nëse ata përfaqësojnë median e pavarur, mediat partiake, apo organizata të lidhura me “donatorë” ndërkombëtarë.

Për pasojë, raportimet shpesh duken të shkëputura nga realiteti mediatik i Kosovës, ku ekziston një dinamikë e veçantë midis lirisë së shprehjes, presioneve politike, ekonomike dhe ndikimeve ndërkombëtare.

Favorizim i narativës ndërkombëtare ndaj asaj vendore

Në disa raste, “Reporterët pa kufij” (RPK) duket se adoptojnë narrativën e institucioneve ndërkombëtare, pa reflektuar ndjeshmëritë specifike të një shoqërie në ndërtim, si ajo e shtetit të Kosovës.
Shembull: raportimet që vendosin në fokus vetëm “presionin” ndaj mediave nga qeveria, por injorojnë ndikimin e fondacioneve të huaja apo presionin e grupeve të interesit ndërkombëtar ndaj gazetarëve lokalë që kritikojnë këto struktura.

Kjo krijon përshtypjen se RPK është më i zëshëm kur liria e shtypit rrezikohet nga qeveri të pavarura, e si rrjedhojë edhe të padëshiruara politikisht, por hesht kur liria rrezikohet nga aktorë politik dhe ekonomik “të pranueshëm” për Perëndimin.

Ndikimi i burimeve të financimit në narrativë

Reporterët pa Kufij financohen kryesisht nga qeveri perëndimore (si ajo franceze dhe gjermane), BE, si dhe nga fondacione të mëdha si National Endowment for Democracy (NED). Kjo ngre pikëpyetje mbi pavarësinë editoriale, sidomos kur raportohet për rajone që kanë interesa të ndjeshme për këto qendra pushteti, përfshirë Ballkanin.

Kosova shpesh ndodhet në një zonë të ndjeshme gjeopolitike, dhe është e vështirë të mos shohësh një mungesë barazie në qasjen ndaj Kosovës krahasuar me shtete si Serbia pushtuese apo Bosnja. Raportet e RPK nuk duket se e trajtojnë Kosovën si një subjekt sovran me sfidat e veta mediatike, por si një zgjatim i dinamikave ndërkombëtare në rajon.

Shpërfillje e sfidave unike të mediave në Kosovë

Në Kosovë, problemet me median nuk janë presioni nga pushteti, por përfshijnë:

Ndikimin e bizneseve të mëdha korruptive në përmbajtjen redaksionale

Korrupsionin brenda vetë institucioneve të mediave

Vetëcensurën nga frika e humbjes së financimeve nga mbetjet e ish pushteteve të korruptuara.

RPK rrallë i adreson këto në raportet e saj, duke u përqendruar në narrativën më të zakonshme e shabllonike të “pushteti kërcënon median”, pa analizuar dimensionet e tjera më komplekse.

RPK pa dyshim luan një rol të rëndësishëm global, por kjo nuk e përjashton nga nevoja për vetëreflektim dhe kritikë konstruktive. Në rastin e Kosovës, është e qartë që raportimet dhe vlerësimet e tyre nuk janë gjithmonë në përputhje me realitetin e terrenit, (sikurse kjo e fundit), duke e rrezikuar objektivitetin dhe besueshmërinë e tyre.

Në vend që të shërbejnë si reflektim i saktë i lirisë së medias në Kosovë, raportet e sotit të RPK-së ngjajnë me pasqyrim të axhendave më të gjera ndërkombëtare, të porositura dhe në dëm të një kuptimi të thellë dhe të paanshëm të kontekstit të Kosovës (shqiptar).

By