Në Kuvendin e sotshëm të Partisë Demokratike – Rithemelimi – Sali Berisha ka cituar një studiues amerikan të revolucioneve, sipas të cilit sfida e një revolucioni nis disa vite më pas kur kasta e vjetër riorganizohet për të ndërmarrë një kundër-revolucion. Referenca amerikane e z. Berisha nuk e shpëton atë nga reminishencat e praktikës dhe teorisë së revolucionit që promulguar gjatë nga regjimi komunist.

Zoti Berisha u përpoq të thoshte se Edi Rama përfaqëson aktualisht reaksionin atij revolucioni lirie të vitit 1990-u kur sipas tij “ne bëmë të mundur të paimagjinueshmen për shqiptarët”.

Sigurisht që krahasimi dhe analogjia nuk qëndrojnë. Zoti Berisha e ka bërë disa herë përlavdërimin e vetes dhe të një klase politike që u ngjiz me zhvillimet e vitit 1990, që në të vërtetë ishin në aspektin politik një seri improvizimesh që pak kanë të bëjnë me ndonjë kuptim të mirëfilltë të Lirisë siç e pretendon atë një i djathtë.

Mjafton të kujtojmë se akti i parë me rëndësi I këtij revolucionari dhe njerëzve pranë tij, ishte ligji nr.7501, për të cilin, z. Berisha, ky Kondorse I vetëshpallur sipas midesë së ditës, do ta deklaronte në vitet 2011-2012 se “binde ndesh me parimet e pronës”.

Kështu që tam-tami me revolucion e reaksion, janë asgjë më shumë sesa epilogu komik siç ndodh përherë i një Konvente revolucionare që gëlon nga llafazanët dhe të pasuruarit, të cilët sado të çirren se Shqipërinë e kanë në zemër, nuk fshehin dot se janë aksionerë në veprimet dhe pasurinë e shpërndarë nga reaksionari dhe anti-revolucionari Edi Rama. Në kulla, resorte, e çdo gjë tjetër.

Përralla e revolucionit me Albana Vokshin, Adriana Kalanë, Flamur Nokën e të tjerë është po kaq idiote sa Rilindja me Edi Ramën, Taulant Ballën, Damian Gjiknurin e Erjon Veliajn vite më parë.

s.zaimi