Trajtesa “Kush dhe pse po e nxjerr sot Skënderbeun në mejdan?” do të ribotohet këtu, në MekuliPress, si argument dhe si mundësi për të parë më mirë e më kthjellët luftën speciale të lancuar nga politika. Trajtesa do të publikohet pa u prekë fare. Do të ripublikohet ashtu, pa ndryshime, edhe sepse shumë vetë e kërkojnë, ose ankoheshin se nuk e gjejnë. Ky do të jetë një rast edhe për ta që të (mos)binden nëse akademiku Feraj e “ka përulë” apo e ka “lartësu” heroin kombëtar, Gjergj Kastrotin – Skenderbeu.

Ky ripublikim ka qëllim të vërtetën dhe demaskimin e lajmit të rremë, lajm i cili po i prinë një “Blitzkrigu” mediatik kundër autorit të trajtesës, Prof. Dr. Hysamedin Feraj-t dhe kundër vet shkencës.
Redaksia MekuliPress ju fton ta lexoni në qetësi, jasht emocioneve dhe pa ndikim fetar a partiak. Ju që ndjeheni të provokuar nga trajtesa, ka mundësi që kjo vie nga naiviteti, keqkuptimi ose ngase e keni “mizën nën kapuq.

Kush dhe pse po e nxjerr sot Skënderbeun në mejdan?
Prof.Dr.Hysamedin Feraj


Debati i sotëm për Skëndertbeun nuk ka asnjë lidhje me Skënderbeun real, por me përdorimin dhe përdoruesit e tij. Skënderbeu real mund të përdoret dhe është përdorë për politika shumë të ndryshme dhe të kundërta. Skënderbeu ka bërë luftë kundër fuqisë më të madhe të kohës, kundër superfuqisë botërore. Prandaj ai mund të përdoret si shembull i luftës kundër superfuqive dhe të bëhet thirrje “hajde t’i shpallim luftë fuqisë më të madhe të kohës tonë, SHBA-ave, si Skënderbeu fuqisë më të madhe të kohës së tij. Kush është kundër kësaj politike është kundër Skënderbeut!’. Kështu u përdor, për shembull, nga Enver Hoxha për t’iu shpallë luftë dy superfuqive. Skënderbu u bashku me papatin kundër rilindjes europiane dhe Europës moderne. Prandaj ai mund të përdoret si shembull për luftën kundër modernitetit europian dhe të bëhet thirrje ‘hajde t’i bashkohemi reaksionit europian kundër rrymave moderne e modernizuese europiane si Skënderbeu që u bashkua me Papën në luftën kunër përpjekjeve europiane për ndarjen e kishës nga shteti, sekularizimin, rilindjen, humanizimin, iluminimin dhe sot pasmodernizimin!’.

Kështu mund të përdoret sot në luftën ndaj filozofive europiane pasmoderne, për shtrirjen e të drejtave dhe lirive njerëzore në grupet sociale, kulturore etj., të shtypura nga modernja. Kush është kundër kësaj politike është kundër Skënderbeut. Skënderbeu ka vrarë masivisht shqiptarët që ishin kthyer në fenë islame. Prandaj Skënderbeu mund të përdoret për të bërë thirrje që të masakrohen masivisht pakicat fetare siç masakroi Skënderbeut fshatarët mysliman të rrethit të Krujës. Kush është kundër kësaj politike është kundër Skënderbeut!

Skënderbeu e ka ndërruar fenë disa herë dhe mund të bëhet thirrje ta ndërrojmë fenë përditë ‘si Skënderbeu!’. Kush është kundër kësaj sjelljeje ndaj fesë është kundër Skënderbeut! Skëndërbeu ka luftuar për lirinë e atdheut kundër islamikëve dhe të krishterëve. Prandaj sot mund të bëhet thirrje të luftohet për lirinë e atdheut pavarësisht nga feja. Kush është kundër kësaj politike është kundër Skënderbeut! Skënderbeu u përpoqë të krijojë e forcojë shtetin shqiptar. Prandaj sot duhet të përpiqemi për krijimin dhe forcimin e shtetit shqiptar. Kush është kundër kësaj politike është kundër Skënderbeut!


Skënderbeu…

Siç shihet mundësitë e instrumentalizimit dhe përdorimit të Skënderbeut për politikën e ditës janë të shumëta, gati të pafundme. Prandaj debati i sotëm për Skëndërbeun nuk ka asnjë lidhje me vlerësimin ose përshkrimin e Skënderbut real, por me vlerësimin e përdoruesve të sotëm të Skënderbut.

Debati për Skënderbeun nuk ka lidhje me Skënderbeun por me dy politika që u propopzohen sot shqiptarëve: njëra, shqiptarocentrike, që vë në qendër shqiptarët dhe gjithçka tjetër e sheh në shërbim të kombit shqiptar; tjetra, katolikocentrike, që vë në qendër fenë katolike ndërsa kombin shqiptar e sheh në shërbim të katolicizmit botëror.

Rryma katolikocentrike u propozon shqiptarëve të kthehen në katolik. Kaq është programi i tyre politik. Ky është qëllim normal i kishës katolike kudo në botë dhe Vatikanit: të kthej sa më shumë njerëz në këtë botë në fenë katolike. Të tjerat pastaj janë mjete për arritjen e këtij qëllimi. Skënderbeu për ta është mjet, vegël: Skënderbeu përdoret për t’ua mbushë mendjen shqiptarëve të kthehen në katolik. Ndjenjat kombëtare të shqiptarëve preken si mjet për t’i shty të kthehen në katolik.
Dijet manipulohen që t’i shtyjnë të kthehen në katolik. Situata politike e shqiptarëve manipulohet për t’i shty të kthehen në katolik. P.sh. bëhen përpjekje ta kuptojnë situatën e vet sikur janë para alternativës të zgjedhin: ose katolik dhe bashkim kombëtar, ose jokatolik dhe as bashkim kombëtar. Kështu ndjenja kombëtare përdoret në shërbim të kthimit në katolik pavarësisht vullnetit, dëshirës dhe zgjedhjes së tyre të lirë. Pavarësiht edhe se nuk ndodhen në këtë situatë. Gjithë këto aspekte, mjete kur shkruhen, kur shkruhet për secilën duket sikur ka një debat të madh, interesant, të larmishëm etj. Në fakt është fare e thjeshtë, vetëm një kërkesë: kthehuni në katolik. Kombi, pavarësia, bashkimi, Skënderbeu, Nënë Tereza për ta s’kanë asnjë rëndësi veçse si vegla.

Rryma katolikocentrike nuk interesohet as për ndjenjat dhe mendimet e katolikëve shqiptar. Qendra e saj është kthimi i shqiptarëve jokatolik në katolik, ndërsa vetë katolikët nuk vlerësohen ndryshe vetëm se si vegla për kthimin në katolik të të tjerëve. Kjo rrymë bën qartë dallimin ndërmjet dy grupeve katolikësh shqiptar: katolikët që kanë vënë fenë mbi kombin osa kundër kombit – të cilët i vlerëson lartë; dhe katolikët që kanë vënë kombin mbi fenë – të cilët i urren. Në këtë të fundit përfshihen katolik të tillë si Pashko Vasa, Fishta, Mjeda etj. Deri tani vlerësohej Bajraktari i Mirditës, por nuk është çudi të filloi të urrehet sapo të bëhet gjërësisht e ditur se edhe ai ka luftuar krah Sulltanit dhe ka pasë titullin pasha me tre tuje. Ndjenjat e popullsisë shqiptare katolike po ashtu nuk kanë rëndësi. Kështu p.sh. katoliku Skënderbe vlerësohet lartë nga rryma masonike, por nuk është vlerësuar kështu nga shqiptarët katolik si popullsi. Katoliku Dukagjin nuk vlersohet nga masonikët edhe pse është vlerësuar nga popullsia shqiptare katolike (dhe jokatolike). Ku shihet kjo?
Në faktin se të dy kanë lënë nga një Kanun. Në popullsinë katolike shqiptare Kanuni i Skëndërbeut nuk ka pasë asnjë respekt a ndikim. Ndërsa Kanuni i Lekës ka qenë gjithë jeta e tyre (juridike, morale, kulturore, civile etj.). Por ndjenjat e popullsisë katolike shqiptare, autoriteti i padikutueshëm i shprehjes ‘Kështu e ka lënë Leka’ etj., nuk kanë rëndësi për katolikcentrikët sepse qëllimi nuk janë katolikët shqiptar, por kthimi i sa më shumë njerëzve në katolik (si statistikë, si shifra jo si njerëz me ndjenja, me shpirtë, me histori etj., – sepse këto janë kombëtare). Mirëpo dihet se Skënderbeu dhe Dukagjinët nuk kanë shkuar aq mirë – se p.sh. Skënderbeu iu nënshtrua Vatikanit pa marrë parasysh rrjedhojat për vendin dhe popullin e vet, ndërsa Dukagjinasit menduan për vendin e popullin shqiptar pavarësisht ambicieve të Vatikanit, Skëndërbeu kish miqësi familjare e politike me serbët, dërsa Dukagjinasit jo etj., – aq sa Vatikani gati i shkishëroi pse kundërshtonin politikën shkatrrimtare të Skënderbeut. Pra, dukagjinasit nuk i ka dashtë shumë Vatikani dhe i ka dashtë populli; Skënderbeun nuk e ka dashtë aq shumë populli por e ka dashtë Vatikani. Rryma e sotme katolike do të harroj Dulagjinasit dhe të glorifikoj Skënderbeun krejt pavarësisht ndjenjave të popullsisë katolike shqiptare.


Rryma katolikocentrike është bërë vegël e nacionalshovinizmave serb e grekë. Pavarësisht se qëllimi kryesor i katolikocentrikëve mund të jetë kthimi i sa më shumë njerëzve në katolik, në kontekstin e sotëm rajonal e shqiptar, më shumë se këtij qëllimi i shërben nacionalizmit serb. Sot nacionalizmi serb e quan të humbur Kosovën pavarësinë e së cilës nuk mund ta ndaloj. Nacionalizmi i sotëm serb është nacionalizmi pasvarësisë së Kosovës. Mbas pavarësisë së Kosovës nacionalizmi serb dëshiron dhe punon për konfliktimin brenda shqiptarëve. Me këtë pengon bashkimin kombëtar dhe krijimin e një shteti e kombi seriozisht rival e konkurues, ruan mundësinë e futjes në konflikt të dy shteteve të vogla shqiptare dhe sundimin mbi të dyja, argumenton aftësinë e vet parashikuese se pavarësia e Kosovës shton pasigurinë e grindjet në rajon, se shqiptarët e Kosovës e Shqipërisë nuk shkojnë mirë as me njëri-tjetrin, se ndoshta Serbia duhet rikthyer në Kosovë.

Tani, rryma katolikocentrike e di se gjasat për rikthimin masiv të shqiptarëve në katolik janë zero, duke e ditë se shqiptarët katolikë janë një pakicë fetare e parëndësishme dhe mbi të gjitha kur edhe brenda katolikëve shqiptar masonët katolikocentrikë janë një pakicë e vogël. Çka synohet prej tyre është krijimi i një klime acarimi, stresi në radhët e shqiptarëve dhe, aq së të munden, të nxisin vija konflikti ndërmjet shqiptarëve siç kërkohet nga nacionalizmi serb. P.sh. një prej veglave të masonerisë katolikocentrike, K. Myftaraj, i referohet drejtpërdrejtë udhëzimit të Koshtunicës për kthimin e konfliktit nga serbo-shqiptar në brenda-shqiptar dhe menjhërë mbas kësaj vetë Myftaraj kërkon fillimin e luftës Gegni-Toskni.
Propaganda që filloi në këtë drejtim është shpifje dhe logjikisht kontradiktore gati deri në humoristike. Kështu p.sh. vetë e vë fenë mbi kombin, pastaj kërkon që në emër të kombit shqiptarët të kthehen në katolik! Myftaraj lavdëron Skënderbeun katolik dhe kërkon që shqiptarët të kthehen në protestan sipas shembullit …të Skendërbeut e Nënë Terezës! Me kthimin në katolik shqiptarëve u premtohen shumë të mira, ndërsa shqiptarët shohin se kjo rrymë nuk ka asnjë ndjenjë respekti për ndjenjat e katolikëve që janë! etj.
Por propaganda e nacional-shovinizmit serb për periudhën post-pavarësi e Kosovës nuk shqetësohet për saktësinë faktike apo logjike, sa për arritjen e qëllimit: tensionin, acarimin, stresin dhe konfliktin brenda-shqiptar. Të tjerat e dinë vetë serbët. Kjo veprimtari u shtua në prag të vitit 2005 sepse mendohet se Kosova mund të marrë pavarësinë. Fakti se u shtua është mobilizimi i dy gazetave më të mëdha të afërta me PD-në: ‘TemA’ e Mero Bazes dhe ‘55’ e Fahri Balliut.
Deri tani rryma katolikocentrike ka qenë propagandar kreysisht në gazeta lokale, ndërsa tani janë mobilizuar gazetat kryesore dhe propagandistët kryesor të PD-së, Mero Bazse dhe Fahri Balliu. Kësaj rryme serbofile katolikocentrike iu kundërvu, si gjithnjë, që në fillim Abdi Baleta. Mero i nxori në mejdan… Skënderbeun! Kështu, rikthimi tek skënderbeu s’kishte ndonjë lidhje konfliktin e sotëm që është ndërmjet nacionalizmit shqiptar, përfaqësuar nga Baleta, dhe nacionalshovinizmit serb përfaqësuar nga PD dhe Mero Baze e Fahri Balliu. Por Skënderbeu mund të përdoret për gjithçka dhe Mero vendosi ta përdorë në shërbim të nacionalshovinizmit serb.
Edhe diskutimi i Baletës nuk ka asnjëlidhje me Skenderbeun real por me përdorimin e tij nga Baze dhe të tjerët në shërbim të nacionalshovinizmit serb kundër të cilit del Baleta. Se si mund të përdore dhe është përdorë Skënderbeu është një çështje e gjatë, e cila është trajtuar para pesë vitesh në artikullin “Mbi debatin për Skënderbeun” botuar në “Rimëkëmbja” janar-shkurt 2000.