John Foster Fraser, në librin “Pictures from the Balkans”, duke dhënë atmosferën historike nga udhëtimi ndërmjet viteve 1800-1900, thotë se shqiptarët mund të ndahen si skocezët:
malësitë e veriut banohen prej fiseve, e në ultësirat më pjellore të jugut sistemi fisnor vjen duke u zhdukur. Dhe, sikurse skocezët që puqeshin me njëri-tjetrin nga urrejtja që ushqenin për anglezët, edhe shqiptarët i bashkon urrejtja që kanë për sllavët.
“Kombet përreth tyre ua kanë pasur aq shumë frikën – për shkak të pasionit të tyre mbizotërues dhe të pashuar për luftën – sa i kanë lënë shqiptarët të merren me veten e tyre. Mungesa e rrugëve, shtigjet e rrezikshme malore dhe zilitë ndërfisnore kanë bërë që çdo zonë, e mbërthyer mes malesh të pakalueshëm, të ndjehet e vetëmjaftueshme.
Gjithkund vërehet një bujari e rreptë. Një femër mund të udhëtojë e sigurt nëpër Shqipëri vetëm falë dobësisë së saj. Megjithatë, shqiptari do të ngurronte të qëllonte një burrë për një fyerje të paqenë, aq sa do të ngurronte të qëllonte një qen që i leh. Ekziston një mëvetësi e ashpër…
Fiset e Shqipërisë nuk kanë një fe të përbashkët. Disa janë të besimit mysliman dhe disa të krishterë. Brenda fisit mund të gjenden që të dy besimet. Më i rëndësishmi nga fiset e veriut, mirditorët, janë të krishterë: katolikë romanë.
Në jug shqiptarët janë të krishterë dhe, duke qenë në kufi me grekët, kanë përqafur Kishën Ortodokse.
Shqiptari mysliman është nën ndikimin e fqinjëve të tij të krishterë. Ai pi verë dhe është veçanërisht i dhënë pas birrës. Më rastisi të gjej edhe shishe birre nga Mynihu, e ai betohet në emër të Virgjëreshës”, shkruan Fraser.
John Foster Fraser (1868-1936) është një sy vëzhgues i fillimit të shekullit të njëzetë, i cili midis memuareve të veta ka përfshirë dhe vështrimet mbi Shqipërinë, sidomos pjesën e poshtme të saj, ku elementet e eposit, etnografisë, traditës dhe dokeve shqiptare janë përshkruar me një stil të këndshëm, pse jo edhe me dashuri, të përshtatshëm për lexuesin anglo-sakson. Vlera e këtij libri nuk ndalet me prezantimin e Shqipërisë te lexuesi i huaj, por fare mirë mund t’i shërbejë dhe lexuesit shqiptar për të njohur këtë pjesë të Shqipërisë nëpërmjet këndvështrimit të një të huaji.
“Populli që të bie më shumë në sy janë shqiptarët. Burrat janë shtatlartë dhe zeshkanë, me tipare të pashme dhe të rregullta. Atje dhe, në të vërtetë, në të gjithë vendin, shqiptari më la përshtypjen e një sqimatari. Ai dëshiron që xhamadani i tij të jetë i qëndisur me serm e flori. Zakonisht, fustanella e tij është borë e bardhë. Opingat, rëndom prej lëkure të kuqe, kanë nga një xhufkë të madhe në majë… për të cilën shqiptari mendon se është pjesë veçanërisht e rëndësishme e ‘kapardisjes’ së tij”, ky citim i John Foster Fraser dëshmon për një realitet historik të Shqipërisë së para 100 viteve.
“Shqipëria e Poshtme” e autorit John Foster Fraser, një nga rrëfimtarët dhe ballkanologët e shquar të fillimshekullit të kaluar bën pjesë në koleksionin Memorie të Botimeve Zenit.