Rriten shqetësimetp përhapjen nëpër botë të Koronavirusit, pas një rritje të numrit të rasteve jashtë Kinës, ndër personat që nuk kanë asnjë lidhje me Kinën apo qytetin e Wuhan, vendi ku shpërtheu epidemia.

Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha të premten se ka ende një mundësi për të ndalur virusin, “por dritarja e mundësisë është duke u mbyllur”.

OBSH u bëri thirrje vendeve që të vazhdojnë me masat e sigurisë, duke shtuar që epidemia mund të përhapet në çfarëdo lloj drejtimi.

Fjalët e tij vijnë ndërkohë që vende jashtë Kinës po raportojnë një rritje të fortë të rasteve me Koronavirus – veçanërisht në Korenë e Jugut dhe Iran. Edhe në Itali janë raportuar dy të vdekur – duke rritur edhe më shumë frikën për përhapjen e epidemisë.

Autoritetet në provincën kineze të Hubeit në Kinë konfirmuan të premten 366 raste të reja të prekur nga virusi, 45 më pak se një ditë më parë, duke e çuar numrin total të rasteve në epiqendrën e epidemisë më shumë se 63.400 persona. Numri i të prekurve në Kinë tashmë është 76.936 raste.

Numri total i personave që kanë humbur jetën në Kinë ka arritur në 2,442. Të premten u regjistruan 109 të vdekur në Kinë, 106 prej të cilëve në Hubei, 9 më pak se një ditë më parë. Dje u regjistruan 97 të vdekur, thuajse të gjithë në provincën e Hubei.

Jashtë Kinës raportohen të paktën 20 persona që kanë humbur jetën nga Koronavirus, duke përfshirë edhe 8 persona në Iran.

Si të mbrohemi nga Koronavirus, këshilla nga Organizata Botërore e Shëndetësisë

Lani shpesh duart

Lani shpesh duart me ujë dhe sapun ose përdorni dezinfektues me alkool nëse duart tuaja nuk janë dukshëm të pista.

Pse? Larja e duarve me ujë dhe sapun dhe përdorimi i dezinfektuesve me alkool largon virusin nëse është në duart tuaja.

Zbatoni higjienën respiratore

Kur ju kolliteni apo teshtini, mbuloni gojën dhe hundën me bërryl ose shami – hidheni menjëherë shaminë në një kosh të afërt dhe pastroni duart me ndonjë dezinfektues me alkool ose lani duart me ujë dhe sapun.

Pse? Kur ju mbuloni gojën dhe hundën në rast se teshtini apo kolliteni, parandaloni përhapjen e mikrobeve dhe viruseve. Nëse ju teshtini dhe kolliteni duke vënë duart përpara gojës, ju mund të infektoni sende apo njerëzit që prekni.

Ruani distancën

Mbani një distancë të paktën 1 metër mes jush dhe personave të tjerë, veçanërisht ndaj atyre që teshtijnë, kolliten apo kanë temperaturë.

Pse? Sepse kur një person është i infektuar me një sëmundje në rrugët e frymëmarrjes, si Covid-19, kollitet apo teshtin, ai mund t’ju infektojë. Nëse jeni shumë afër, ju mund të merrni virusin nëpërmjet frymëmarrjes.

Shmangni prekjen e syve, hundës dhe gojës

Pse? Duart prekin shumë sipërfaqe të cilat mund të jenë të infektuara me viruse. Nëse ju prekni sytë, hundën dhe gojën me duart e infektuara, ju mund ta transmetoni virusin te vetja nga sipërfaqja e prekur.

Nëse keni ethe, kollë apo vështirësi në frymëmarrje, kërkoni ndihmë mjekësore menjëherë

Njoftoni mjekun nëse ju keni udhëtuar në Kinë, në zona të prekura nga virusi, ose nëse keni qenë në kontakt me dikë i cili ka udhëtuar në Kinë dhe ka vështirësi në rrugët e frymëmarrjes.

Pse? Çdo herë që keni temperaturë, kollë apo vështirësi në rrugët e frymëmarrjes është e rëndësishme t’i drejtoheni menjëherë mjekut, pasi kjo mund të jetë për shkak të një infeksioni në rrugët e frymëmarrjes apo një gjendje tjetër serioze.

Nëse keni simptoma të lehta respiratore dhe asnjë precedent udhëtimi drejt apo brenda Kinës

Nëse keni simptoma të lehta respiratore dhe asnjë precedent udhëtimi drejt apo brenda Kinës, zbatoni me kujdes rregullat themelore të higjienës respiratore dhe higjienën e duarve. Qëndroni në shtëpi deri sa të shëroheni, nëse është e mundur.

Si një parandalim paraprak, zbatoni masat higjienike kur vizitoni tregje me kafshë të gjalla, tregje me lagështirë apo tregje me produkte me origjinë shtazore.

Sigurohuni që të lani duart me ujë dhe sapun dhe t’i dezinfektoni duart pasi keni prekur kafshë apo produkte shtazore; shmangni prekjen e syve, hundës dhe gojës me duar; shmangni prekjen e kafshëve të sëmura. Shmangni rreptësisht kontaktin me kafshë të tjera në treg (për shembull mace, qen, zogj etj.).

Shmangni konsumimin e produkteve shtazore krudo ose pak të pjekura

Zbatoni sigurinë ushqimore dhe bëni kujdes ndaj mishit krudo, qumështit dhe organeve të kafshëve, për të shmangur kontaminimin e kryqëzuar me ushqime të papjekura.

Masa të tjera

  • Mos merrni antibiotikë, vetëm në rastin se jua ka këshilluar mjeku
  • Pastroni sipërfaqet me dezinfektues
  • Përdorni një maskë vetëm në rastin nëse dyshoni se jeni sëmurë apo po ndihmoni njerëzit e sëmurë