Të pakta janë gjërat që ia ngrohin zemrën njeriut më shumë sesa dëshmimi i mënyrës sesi një qënie njerëzore shpreh mirënjohjejen dhe respektin më të thellë për ndikimin rrënjësor, për ndryshimin e kursit të jetës, që dikush tjetër ka patur te ai.

Një nga shembujt më të bukur të kësaj mirënjohjeje të përzemërt vjen nga Albert Kamy.

Kur Kamy ishte më pak se një vjeç, babai i tij u vra në fushën e betejës së Luftës së Parë Botërore. Ai dhe vëllai i tij më i madh u rritën nga nëna e tyre analfabete, pothuajse e shurdhër dhe një gjyshe despotike, me pothuajse asnjë perspektivë për një të ardhme të ndritshme.

Si një testament të asaj që ndodh kur edukimi përcillet deri në potencialin e tij më të lartë për të fisnikëruar shpirtin njerëzor, një mësues me emrin Louis Germaine pa diçka të veçantë te Alberti i ri dhe ndërmori detyrën e shkrirjes së kohezionit dhe qëllimit te djaloshi – detyrë e një mentori të madh.

Nën krahët mbrojtës të mësuesit të tij, Kamy arriti të kapërcente mjerimin që e rrethonte dhe filloi të lulëzonte në gjenialitetin e tij të ardhshëm.

Tre dekada më vonë, Kamy u bë personi i dytë më i ri  në moshë që merr çmimin Nobel, që iu dha për “sinqeritetin e kthjellët” të veprës së tij, e cila “ndriçon problemet e ndërgjegjes njerëzore”. Më 19 nëntor 1957 – vetëm pak ditë pasi mori çmimin më të lartë të njerëzimit – Kamy u bë dëshmitar në vetë të parë të ndikimit që pati ish-mësuesi i tij që e shpreh me anë të një letre spektakolare dhe një “sinqeritet të tillë të qartë”, të përfshirë në faqet e fundit të librit “The First Man”.

Më poshtë letra.

“19 Nëntor 1957

I Nderuar Monsieur Germain,

Lashë turbullirën që më ka rrethuar këto ditë të bjerë pak, përpara se të të flas nga thellësia e zemrës sime. Sapo më është dhënë një nderim shumë i madh, një që as i isha vënë pas, as e kisha kërkuar.

Por kur dëgjova lajmin, mendimi im i parë, pas nënës time, ishte për ty. Pa ty, pa dorën e dashur që ti shtrive drejt vogëlushit të vogël e të varfër që isha unë, pa mësimet dhe shembullin tënd, asgjë prej këtyre nuk do të kish ndodhur.

Nuk është se e mendoj kushedi çfarë këtë lloj nderi. Por të paktën ai më jep mundësinë të të them, atë që ti ke qenë dhe je ende për mua, si dhe të të siguroj se përpjekjet e tua, puna jote, dhe zemra bujare që ti vendos në to, jetojnë ende tek njëri prej vogëlushëve të shkollës ku jepje mësim që, pavarësisht viteve që kanë kaluar, nuk ka pushuar kurrë së qeni nxënësi yt mirënjohës.

Të përqafoj me gjithë zemrën time.

Albert”