22 Dhjetor 1894, “Çështja Drajfus”

Sebastian Zonja: Rëndësia e shtypit të lirë, rëndësia e gazetarëve, rëndësia e intelektualëve të lirë

”Rise and rise again until lambs become lions”
Në vitin 1894, Alfred Drajfus, kapiten i ushtrisë franceze – me prejardhje hebreje – u akuzua, me falsifikime, për shitje të sekreteve ushtarake Gjermanisë. Ai u deklarua i pafajshëm por u nxorr përpara gjyqit dhe u dënua për tradhëti ndaj atdheut. Pas dënimit e dërguan në burgun në ishull, në Guaianën e largët, për vite me radhë, pavarësisht provave se një tjetër ishte fajtori.
Alfred Drajfusi, kapiteni 30-vjeçar, ishte njëherazi edhe i vetmi hebre në Shtabin e Përgjithshëm francez. Komploti kundër Drajfus përfshiu falsifikim dokumentesh, ndaj lindi nevoja për hetime të tjera.
Franca u nda më dysh – anti-Drajfusista dhe mbështetës të tij. Këtu del në pah edhe fuqia e intelektualëve dhe zërave të arsyeshëm në publik. Këtu del në pah rëndësia e shtypit të lirë, rëndësia e gazetarëve.
Emile Zola e Anatole Franse, dy intelektualë të spikatur të kohës, botuan shkrime e thirrje ku kërkohej rihapja e Çështjes Drajfus. Shkrimet e tyre gjallëruan opinionin publik dhe tërhoqën aktivistë të shumtë.
Më 13 janar 1898, në gazetën “L’Aurore” intelektuali i spikatur botoi artikullin e famshëm “J’açuse…!” – Lettre au President de la Republique par Emile Zola – Akuzoj…! – Letër Presidentit të Republikës nga Emil Zola.
Botimi special i kësaj gazete u shit mbi 300.000 kopje; në Paris u mbajtën protesta masive, liberalët u rreshtuan në një krah, konservatorët në krahun tjetër.
Letra e Zolas tronditi Francën.
Siç e thotë bukur Kadareja ynë i madh – Kur trondit Francën, ke tronditur botën.
Protestat shpërthyen në të gjitha metropolet e kontinentit plak; Opinioni i përgjithshëm u nda më dysh.
Prokuroria franeze paditi për shpifje intelektualin Zola. Shkrimtari u dënua me një vit burg dhe me 3.000 franga gjobë. Ai u largua në Angli.
Edhe pse Drajfus doli për të dytën herë para gjyqit, ai përsëri u shpall fajtor. Tashmë nuk ishte thjsht afera “Drajfus” në skenë, ishte në lojë dinjiteti i intelektualëve francezë, dinjiteti i kontinentit.
Nacionalistët nuk hiqnin dorë për ta dënuar dhe ishin shumë të fortë, por demokratët francezë ishin të gatshëm të jepnin jetën të mbronin idealet e tyre.
Presidenti francez, i ndodhur mes dy zjarresh, e fali. Pafajësia u vërtetua më vonë, shkallë – shkallë, dhe vetëm në vitin 1995, rreth 100 vjet pas dënimit Alfred Dreyfus u shpall publikisht i pafajshëm.
Zola u kthye triufator nga Anglia në Francë. Intelektuali u varros krah Hygoit kur shkoi për në amshim. Zola është simboli i intelektualit që nuk rri në kullën e fildishtë.
Georges Clemenceau do të thoshte për të: “Kemi gjetur burra që mund t’u rezistojnë mbretërve (…) kemi gjetur shumë pak burra, t’i rezistojnë turmave (…) që të guxojnë, kur dikush kërkon një po, të ngrenë kokën dhe të thonë jo. Kjo është ajo që bëri Zola”.