Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi tha se pratneri i tyre i koalicionit, Lidhja Demokratike e Kosovës i kishte paralajmëruar edhe më herët për daljen nga Qeveria pasi që ata ishin për ta hequr komplet taksën.

“LDK edhe më herët kanë paralajmëruar. Nëse nuk hiqet taksa kundër mallrave serbe LDK do të dalë nga koalicioni.  LDK vazhdonte të jetë e fokusuar në tarifën teksa ne po merreshim me koronavirusin. LDK është dashtë të marrë përgjegjësi për deklarimet e Veliut që kanë qenë në mos përputhje me vendimet e qeverisë. Ministri i brendshëm në vend se të kontribuoj në marrjen nën kontroll të situatës, ai përhapte panik. Ai përhapi alarmin, teksa thoshte se situata po del nga kontrolli e në fakt gjithçka ishte nën kontroll. E din edhe ai. Kur Veliu deklaron se nga ora në orë po shtohen rastet dhe situata po del nga kontrolli është komplet e papranueshme. Ose duhej të shkarkohej ose të gjendej një model tjetër, ose Kurti dhe Veliu nuk do të mund të qeverisnin bashkë’’, është shprehur Selimi.

Tutje deklaron se Lidhja Demokratike e Kosovës po e kërkon përkrahjen nga PAN-i i cili sipas tij ende ekziston veçse kësaj here janë opozitë.

”PAN do ta mbështesë LDK-në. Bashkë me LDK e nxorëm PAN-in në opozitë, tash LDK po kërkon ndihmë prej tyre që t’i mbështesë, Nuk na mbet hatri prej askujt nga PAN-i. Haradinaj është ende nën trauma të humbjes i cili kërkon ta mbështesë ldk ta heqë taksën. LDK thotë se duhet me rrëzu ldk që spo e heqë. AAK thotë me heqë VV që po e heqë taksën”, ka thënë Selimi në Klan Kosovë.

Rexhep Selimi shtoi se nëse nuk kalon mocioni i iniciuar nga LDK, atëherë do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetutese.

”Edhe nëse kalon mocioni me mbështetje të PAN, Presidenti do të jetë i detyruar të kërkojë mandat nga VV. Pra i bie, ose shihemi në Gjykatën Kushtetuese ose në zgjedhje”, shtoi Selimi.