Gjokë Dabaj
SËRBËT E SOTËM, A E DINË Ç‘I KA BËRË SËRBIA SHQIPËRISË?
Pjesë nga libri “Genocidi sërbomadh dhe qëndresa shqiptare” i autorit Shaban Braha
Faqe 43-44
“Agresioni sërb, 1876-1878, solli pasoja shfarosëse për shqiptarët në viset e Anamoravës (Moravës Jugore, Perendimore dhe Lindore). Burimet dokumentarë për sasinë numerike të vrasjevet nga trupat dhe çetat terroriste sërbe jepen në kujtesën e bashkëkohësvet të atyre ngjarjeve, të përcjella këto nga Hajdin Simnica dhe Dan Bellaqevci (Mavriqi), dhe llogariten në 35000 (tridhjetë e pesë mijë) viktima shqiptare të çdo moshe dhe seksi.
Fshatra, qytete e krahina të tëra, zbrazeshin nga tmerret që ua shkaktonte genocidi sërbomadh. Konsulli i Perandorisë Osmane në Nish njoftonte se, nga një lagje thjeshtë shqiptare e Nishit, prej 300 shtëpishë, vetëm 20 shtëpi shpëtuan. Të tjerat u rrafshuan me tokë.
Në kazanë e Leskocit u shkatërruan 1228 shtëpi në 88 fshatra e u shpërngulën rreth 20667 banorë.
Në rrethin e Prokupjes, në 73 fshatra me 1771 shtëpi, shumica u dogjën ose u shkatërruan.
Nga 67 fshatra, me 1531 shtëpi shqiptare, u shpërngulën 122480 banorë.
Vetëm në rajonin e Pustrekës, në 53 fshatra, mbetën të zbrazura 2700 shtëpi shqiptare. Prej 900 shtëpive të quajtura “turke”, mbetën vetëm 126 banorë myslimanë.
Në rajonin e Bahinovcit u dogjën të gjitha shtëpitë shqiptare. Vetëm fshati Pllanë e Madhe kishte 889 shtëpi shqiptare, por asnjë prej tyre nuk mbeti.
Në Pirot, nga 2270 shtëpi shqiptarre, u dogjën 1327.”
A e njohin këtë fakt, të shprehur me shifra, qeveritë e shetevet të botës, ndërmjetëse ose jo ndërmjetëse në bisedimet midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Sërbisë?! A u është dhënë zyrtarisht atyre qeverive ky njoftim, para se delegacioni shqiptar të ulej në bisedime me Republikën e sotme të Sërbisë?!
Dhe, a i është dorëzuar delegacionit sërb kjo pasqyrë ngjarjesh, të paktën në formën e një promemorjeje? Dhe, a i është thënë delegacionit sërb të paktën kështu: “Ne pranojmë të ulemi për bisedime, por ju duhet t’i dini këto gjëra, sepse të dy popujt duhet të jenë në dijeni për çfarë ka ndodhur. Sërbët e sotëm duhet ta dinë ç’të këqia i ka shkaktuar Sërbia Shqipërisë në gjysmën e dytë të shekullit XIX, si edhe në kohët e tjera.”
Ky informacion është i domosdoshëm dhe kjo punë nuk mund të kryhet askund më mire se në tryezat e bisedimevet, nëse dy popuj vërtet synojnë të shkojnë mirë në të ardhshmen.