Kryeministri i pakorruptuar i Kosovës, Albin Kurti, ka treguar se në bisedimet e të shtunës në Ohër kishte propozuar që të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe mbi tri shtylla.

Porse, ky propozim demokratik ishte refuzuar në mënyrë kategorike nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Për këtë formulimin vetëmenaxhim e në anën tjetër edhe për marrëveshjet e trashëguara, por që kanë pësuar rrëzim nga institucionet e shtetit tonë, si Gjykata Kushtetuese apo që janë shkelur nga Serbia, kam bërë një ofertë konkrete, duke iu thënë se nëse pala serbe është dakord që të pranojë tri shtylla bazike si: Kushtetutën e Kosovës, aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, një qëndrim të Brukselit zyrtar dhe një tjetër të Washingtonit, atëherë jam i gatshëm me këto premisa ta shkruajë draftin e propozuar.

Porse, u thash se duhet pajtuar me premisat. Nuk pati dakordim të përfillen tri shtyllat. U thash se nëse pajtohen në mëngjesin tjetër ua sjelli draftin, por u refuzua.

Jo vetëm që u refuzua, por në atë momente u tha nuk kemi çfarë të flasim më tutje ‘po humbim kohë, të ngrihemi nga ky takim e të shkojmë’. Ishte refuzim shumë i ashpër i një oferte gjeneroze e parimore”, ka thënë Kurti në konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë.