Për të shkundur neojugosllavët e Tiranës!
(me shpjegimin e Vuçiçit, jo timin)
10.04.2017.
Të gjithë presidentët e Serbisë, pas shembjes së Jugosllavisë dhe largimit nga pushteti të presidentit kriminel ndërkombëtar lufte, Sllobodan Millosheviç në tetor 2000, janë përpjekur pa pushim për të rikrijuar Jugosllavinë në forma dhe me emra të rij. Por është i pari dhe i vetmi presidenti i ri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, që u zgjodh në 2 prill, i cili e deklaron hapur publikisht këtë plan strategjik të Serbisë për rikrijimin e Jugosllavisë. Në intervistën e tij të parë si president, dhënë portalit amerikan “Politico”, në 6 prill, i pyetur nëse me planin e tij për një treg të përbashkët ballkanik ai po përpiqet të rikrijojë Jugosllavinë, Vuçiç përgjigjet pa hezituar dhe në mënyrë pohuese se “Është Jugosllavia e vjetër, plus Shqipërinë”.
Kaq befasuese është shpallja e kësaj strategjie nga presidenti i ri
serb, saqë gazetari intervistues, Matthew Karnitschnig, në zbërthim të
intervistës, boton po atë ditë një artikull me titull ”Plani i Serbisë
për të sjellë prapë Jugosllavinë”.
Dy janë elementet e reja të deklarimit të presidentit të ri serb, 1- që
ai shpall publikisht se Serbia synon të rikrijojë Jugosllavinë e vjetër,
dhe 2- se Serbia planifikon të përfshijë në këtë Jugosllavi të re edhe
Shqipërinë. Është një deklarim i pazakontë, sepse nuk ka ndodhur
asnjëherë gjatë 17 vjetëve të periudhës “demokratike” serbe, që
udhëheqësit e Serbisë të afishojnë hapur strategjinë e krijimit të një
federate të re jugosllave dhe sidomos që synojnë të përfshijnë në të
edhe Shqipërinë.
Në fakt, për herë të parë planin e tij të bashkimit ekonomik dhe doganor ballkanik, Aleksandër Vuçiç, e shpalli gjatë një vizite zyrtare në Francë si kryeministër në shtator në vitin 2016, ku ruajti aparencën e motivit ekonomik të planit të tij ballkanik, ku deklaroi se kjo nuk do të jetë një Jugosllavi tjetër dhe ku nuk e përmendi fare përfshirjen e Shqipërisë. Ndërsa tani, në deklarimin e parë si president i Serbisë, ai shpall se rikrijimi i Jugosllavisë së vjetër, plus Shqipërinë “është një ide politike”.
Duke analizuar këtë projekt të Vuçiçit në atëkohë, unë kam shkruar se
“Duke qenë se kryeministri serb deklaroi se idenë e tij ia ka paraqitur
të gjithë udhëheqësve të shteteve të rajonit, është e natyrshme që këto
shtete, dhe në radhë të parë Shqipëria, duhet të jenë tepër të
kujdesshme në analizat e tyre. Qeveria nuk duhet të dëgjojë këshilltarët
jugosllavë dhe as disa shoqata joqeveritare fitimprurëse, që financohen
nga Serbia, por duhet të shfletojë pak historinë e marrëdhënieve midis
Shqipërisë dhe Serbisë”. (“Ballkani Faustian”, 2016, fq.510)
Rikrijimi i Jugosllavisë, (ku përfshihet dhe Shqipëria), si objektiv i
presidentit të ri të Serbisë, tërheq vëmendjen në disa drejtime. Tërheq
vëmendjen për të hulumtuar se cila është ajo forcë, që i jep siguri dhe
besim presidentit të Serbisë që do të realizojë objektivin e rikrijimit
të federatës së shembur jugosllave, e cila u shkatërrua përmes një
seriali luftërash të përgjakshme të Serbisë kundër popujve jo serbë, që
dëshironin të ishin shtete të liria dhe të pavarura nga sundimi i
Serbisë. Besimi, që ka presidenti i ri serb se ai do të rikrijojë
Jugosllavinë e vjetër, duke futur në të edhe Shqipërinë, duket se vjen
nga disa rrethana të reja rajonale dhe ndërkombëtare.
Burimi i parë i besimit të tij vjen nga mbështetja e jashtëzakonshme, që Rusia po i jep planit të Beogradit për hegjemoni serbe në rajon nëpërmjet krijimit të federatës së re jugosllave, të drejtuar nga Serbia. Tani Rusia është në pikun e ndërhyrjes në Ballkan për shtrirjen e influencës së saj, gjë të cilën mendon se mund ta realizojë më lehtësisht, nëse disa shtete të Ballkanit do të bashkoheshin nën egidën e Serbisë. Burimi i dytë i besimit të presidentit serb vjen nga situatat e rënduara politike dhe tensionet në rritje në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë hyrë në një fazë dobësie dhe
disfunksionaliteti, e cila e shtyn Serbinë të mendojë se është një fazë,
ku mund të imponohet si shteti më i fuqishëm dhe t’i grumbullojë ato
shtete rreth vetes. Me ndërhyrjet dhe sponsorizimet e tyre intensive,
Serbia dhe Rusia kanë ndikuar që krizat politike dhe tensionet e
brendshme në disa shtete të Ballkanit Perëndimor të rriten dy vitet e
fundit, që nga kriza natyrale në Maqedoni e deri te kriza artificiale në
Shqipëri.
Burimi i tretë i besimit, që ka presidenti serb për rikrijimin e
Jugosllavisë të drejtuar nga Serbia, është fakti se Aleksandër Vuçiç ka
arritur të sigurojë një mbështetje personale të gjerë në disa kancelari
europiane dhe nga diplomacia e disa shteteve anëtare të BE. Nën nxitjen e
pamotivueshme të motivit të inkurajimit të Serbisë për të shkuar drejt
BE dhe jo drejt Rusisë, disa udhëheqës të vendeve anëtare të BE kanë
vënë bastin te presidenti Aleksandër Vuçiç dhe po vlerësojnë se nën
udhëheqjen e tij Serbia duhet të ketë rol drejtues apo kyç në Ballkanin
Perëndimor. Është një bast dhe vlerësim tejet i gabuar dhe është harruar
shumë shpejt se kjo vijë sjelljeje europiane e ka shijuar dështimin me
të gjithë paraardhësit e Vuçiçit që nga viti 2000, të cilët, gjithashtu,
ishin glorifikuar nëpër Europë si proeuropianë.
Qarkullon edhe një koncept tjetër i gabuar në disa qarqe diplomatike
europiane se, duke lejuar Serbinë të bëhet qendër e një federate
rajonale në formën e Jugosllavisë, do të jetë më mirë për BE, se do të
çlirohet nga problemet dhe krizat politike dhe etnike në Ballkanin
Perëndimor.
Pika më tronditëse e planit të presidentit të Serbisë nuk është
rikrijimi Jugosllavisë së vjetër, por është sidomos shpallja e
përfshirjes së Shqipërisë në këtë federatë të re jugosllave. Interesant
është fakti se presidenti i Serbisë nuk e parashtron si ofertë
diplomatike të tij drejtuar Shqipërisë, por e paraqet si një fakt të
kryer, që do të jetë një Jugosllavi e vjetër bashkë me Shqipërinë. Për
hir të së vërtetës, duhet thënë se rrënjët e këtij pretendimi serb
shkojnë larg dhe e kanë bazën në projektin europian, apo më saktë, të
diplomacisë franceze në vitin 2000, për të krijuar grupimin e integrimit
europian të quajtur “Ballkani Perëndimor” me shtetet e ish-
Jugosllavisë, pa Slloveninë, plus Shqipërinë. Kroacia, e cila u shkëput
me sukses nga ky grup, dhe u anëtarësua në BE, e ka parë këtë emërtim si
një përpjekje për të rikrijuar Jugosllavinë, dhe i ka kundërshtuar me
forcë gjithmonë projektet serbe apo europiano-serbe për forma grupimesh
ballkaniko-perëndimore. Kjo ishte edhe arsyeja, që presidentja e
Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç, në 25 nëntor 2015, në një samit të
kryetarëve të shteteve të rajonit, shpalli nismën për të hequr nga
fjalori politik termin “Ballkani Perëndimor” dhe për të përdorur termin
“Europa Juglindore”. Është një nismë e rëndësishme politiko-
diplomatike, për të cilën nuk është dhënë ndonjë sqarim përse nuk e ka
përkrahur zyrtarisht Shqipëria.
Në këtë Jugosllavi të re, presidenti i ri serb nuk përfshin dot tani as
Kroacinë dhe as Slloveninë, dy shtete që u shkëputën të parat nga
ish-Jugosllavia dhe të cilat nuk kanë dashur asnjëherë të quhen as
jugosllavë dhe as ballkanikë. De fakto, presidenti serb e planifikon
rikrijimin e Jugosllavisë me 6 shtetet e të quajturit Ballkan
Perëndimor, ku ka futur edhe Shqipërinë.
Për diplomacinë serbe “Ballkani Perëndimor” ka qenë dhe është
kopertura e një federate të re jugosllave. Shpallja arbitrare tani e
përfshirjes së Shqipërisë në federatën e re jugosllave me sa duket vjen
jo vetëm nga dëshira dhe aspirata e vjetër e Serbisë për të futur nën
influencën e vet Shqipërinë. Supozimet shkojnë deri në shkallën që
ndonjë formë sigurie mund t’i jetë dhënë Beogradit nga segmente të
diplomacisë europiane se mund ta bindin Shqipërinë që, me dëshirë apo pa
dëshirë, të aderojë në një federatë të re jugosllave në emër të
“idealeve europiane”. Për rrezikun e planeve të përfshirjes së
Shqipërisë në një federatë të re jugosllave kam tërhequr vëmendjen që në
vitin 2005, kur kam shkruar: “Një fantazëm e rrezikshme sillet
korridoreve të zyrave të BE-së në Bruksel. Kjo është fantazma e
jugosllavizmit, e cila ëndërron të krijojë ish-Jugosllavinë, me pesë
shtete, që dolën prej saj, pa Slloveninë dhe plus Shqipërinë”. (“Profile
të diplomacisë europiane në Ballkan”, 2010, fq.54).
Ka një presion të vazhdueshëm 17-vjeçar mbi diplomacinë shqiptare për të
pranuar pa u menduar çdo lloj projekti apo grupimi
ballkaniko-perëndimor, të cilat bien të gjitha era jugosllavizëm. Që nga
konceptet e “integrimit rajonal ballkanik përpara integrimit europian”,
krijimi i një tregu të përbashkët ballkanik, i një bashkimi doganor
ballkanik, i një parlamenti ballkanik apo i policisë ballkanike, e deri
te projekti efemer i quajtur “Ballkan 6”, janë hartuar mbi arketipin e
Jugosllavisë së vjetër.
Në një analizë me titull “Një Jugosllavi e re me dy shtete
shqiptare”, kur u shpall nisma “Ballkan 6” katër vjet më parë, kam
shkruar se ”Unoni ballkaniko-perëndimor shfaqet si një reminishencë e
ideve dhe përpjekjeve jugonostalgjike të rikrijimit të Jugosllavisë.
Shqipëria dhe Kosova nuk mund të kenë asnjë interes diplomatik, politik,
kombëtar dhe strategjik, të futen nën ombrellën e ndonjë Jugosllavie te
re”. (“Diplomacia shqiptare në kërkim të identitetit”, 2013, fq.148).
Presidenti i ri i Serbisë afishoi se e quan fakt të kryer rikrijimin e
Jugosllavisë me përfshirjen e Shqipërisë. Kjo përbën një alarm të madh
se Jugosllavia është ante portas, para portave tona. Projekti i rezervon
Shqipërisë vendin e republikës së gjashtë jugosllave ose serbe. Është
ringjallja e planit të vjetër të Titos për Shqipërinë si republikë e
shtatë e Jugosllavisë.
Me keqardhje më duhet të them se nuk kam konstatuar ndonjë lëvizje
shtetërore përballë këtij rreziku para portave, siç do të duhej të
vepronin shteti, diplomacia dhe partitë politike shqiptare, të cilët
duhet të shqetësohen si senatorët romakë, kur panë Hanibalin para
portave të Romës. Është një situatë, ku Shqipëria duhet të denoncojë sa
më parë planet e Serbisë për të aneksuar Shqipërinë në një federatë të
re jugosllave. Ai, që e shpalli publikisht dhe zyrtarisht rivendikimin
ndaj Shqipërisë, është kryetari i shtetit, me të cilin kemi marrëdhënie
diplomatike. Kërkon një përgjigje adeguate, sepse cenon dinjitetin dhe
sovranitetin e Shqipërisë.
Përgjigja duhet të jetë shtetërore dhe kombëtare, sepse është shteti
dhe kombi, të cilëve po u troket rreziku para portave. Në këtë drejtim
Shqipëria duhet të marrë shembull nga Kosova, ministri i Jashtëm i së
cilës, Enver Hoxhaj, reagoi me përgjegjshmëri brenda ditës në 6 prill,
duke hedhur poshtë planin e presidentit serb me deklaratën “Kosova është
kundër një Jugosllavie te re”.
Për shmangien nga detyrimet në momentet e rëndësishme diplomatike dhe
kombëtare nuk mund të jetë justifikim as kriza politike dhe as lufta për
pushtet midis partive politike. Shqipëria duhet të shprehë fuqishëm
kundërshtimin e saj, sepse duhet të bëjë që ta dëgjojë edhe BE se çdo
plan i rikrijimit të Jugosllavisë është antihistorik dhe i dëmshëm për
integrimin europian dhe për paqen e stabilitetin rajonal.
Jugosllavia është para portave të Shqipërisë dhe ato porta nuk duhet
t’ia hapim vetë me duart e neglizhencës dhe të indiferentizmit shtetëror
dhe kombëtar.
(Libri “Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës”, 2018, fq.214) /MekuliPress/ Nëse e keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj!