Dr. Bashkim Lajçi
Në kuadrin e shantazheve të shumta që Serbia po i aplikon kundër shtetit tonë, një numër jo të vogël të tyre e zën edhe ato që kanë të bëjnë me fushën e trashëgimisë kulturore. Njëri nga këto shantazhe që duhet përmendur me këtë rast, është moskthimi i 1247 eksponateve (676 eksponate arkeologjike dhe 571 etnologjike), të cilat Serbia përmes Muzeut Popullor të Beogradit në vitin 1998 i mori nga Muzeu i Kosovës, në emër të organizimit të njeë ekspozite në Beograd.
Koleksioni në fjalë përbëhet nga eksponatet më të përzgjedhura të thesarit arkeologjik dhe etnologjik të Kosovës: eksponate të periudhës së neolitit, bronzit, hekurit, pastaj periudhës së mbretërisë dardane, periudhës iliro-abërore, si dhe eksponate të veshjeve popullore, stolive, punimeve të dorës etj. Vlera e këtyre eksponateve është pa dyshim e madhe, meqë ky thesar arkeologjik dhe etnologjik eshte thelbi i trashegimise se luajtshme te Kosoves dhe rezultati i gërmimeve sistematike të Muzeut të Kosovës, që nga vitet ’50 të shekullit të kaluar e deri në fund të shekullit XX.
Eksponati i vetëm që u kthye në vitin 2002, me ndërmjetesimin e ish-kryeadministratorit të Kosovës Michael Steiner, është “Hyjnesha në fron”!
Edhe përkundër kërkesave, fushatave dhe kontakteve të herë pas hershme të zyrtarëve kosovarë e ndërkombëtare me ata serbë, deri më sot koleksioni në fjalë nuk u kthye në Kosovë, në nënqiellin ku u krijua dhe ku e ka vendin. Se kur do te ndodhë kjo, këtë nuk mund ta thotë askush, edhe përkundër faktit se në disa dokumente të pranuara ndërkombëtarisht, e obligojnë Beogradin, t’i kthejë pronarit të ligjshëm të origjinës – Muzeut të Kosovës 1247 eksponatet e “huazuara”. Janë disa dokumenta të ratifikuara nga shtete anëtare të organizmave ndërkombëtare, siç është e Drejta ndërkombëtare lidhur me Kthimin e Trashëgimisë Kulturore në rast konflikti të armatosur, pastaj Konventa ndërkombëtare për Trashëgiminë Kulturore etj., që i sqarojnë mjaft mirë problemet e kësaj natyre, por ç’ti bësh kur Serbia nuk ua vë veshin fare këtyre argumenteve, por edhe me tej vazhdon lojën e saj me eksponatet tona.
Duke u nisur nga gjendja e tanishme, përkatësisht nga zvarritja e vazhdueshme e zgjidhjes së këtij problemi, mendoj se do të ishte mirë që pala kosovare në kuadrin e bisedimeve me Beogradin, të kërkoi nga Beogradi kthimin e menjëhershëm të këtyre eksponateve në Kosovë. Nëse eventualisht kjo kërkesë e palës kosovare nuk do të përfillej nga Serbia, atëherë do të duhej të kërkohej ndihmë nga institucionet ndërkombëtare, veçmas nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës.