Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë nuk ka plane të urdhërojë forcat ushtarake serbe të kalojnë kufirin me Kosovën. Pavarësisht shqetësimeve të ngritura për vendosje “të paprecedentë të forcave ushtarake serbe pranë kufirit”, nga Shtetet e Bashkuara dhe Qeveria e Kosovës, Vuçiq pretendoi se Serbia nuk është në kërkim të konfliktit. Në një deklaratë të dhënë për prestigjiozen britaneze “Financial Times” të shtunën, ai tha se “Serbia nuk dëshiron luftë”.

“Pse kjo do të ishte e dobishme për Beogradin?” ka thënë Vuçiq. “Cila do të ishte ideja? Për të shkatërruar pozicionin tonë që kemi ndërtuar prej një viti? Për ta shkatërruar këtë brenda një dite? Serbia nuk do luftë”. – ka thënë Vuçiq.’

Ndonëse Shtëpia e Bardhë tha se kishin vëzhguar vendosje të madhe të “artilerisë serbe, tankeve dhe njësive të mekanizuara të këmbësorisë” pranë kufirit me Kosovën, Vuçiq e quajti këtë një “gënjeshtër të pastër”, pasi sipas tij, “kjo do të rrezikonte pozicionin e saj në bisedime”.

“Dërgimi i trupave nga Serbia në vijën administrative është një gënjeshtër e pastër. . . Serbia nuk do të përfitonte prej saj pasi kjo do të rrezikonte pozicionin e saj në bisedimet e sponsorizuara nga BE-ja me Kosovën.” – ka thënë Vuçiq.

Vuçiq gjithashtu pretendoi se numri i forcave serbe pranë kufirit me Kosovën ishte në rënie. “Vitin e kaluar kemi pasur 14,000 burra pranë vijës administrative, sot kemi 7,500 dhe do ta reduktojmë në 4,000.” – pohoi ai.

Shqetësimin për shtimin e trupave ushtarake pranë kufirit me Kosovën e ka shprehur të premten zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.