Shtetet e Bashkuara kanë zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta me Hamasin, ka bërë të ditur Shtëpia e Bardhë. Në këto bisedime janë diskutuar çështja e pengjeve amerikane dhe konflikti në Gaza, shkruan gazeta norvegjeze Dagsavisen, përjell e pavarura MekuliPress.

Lajmi për këto bisedime u raportua fillimisht të mërkurën nga faqja e lajmeve Axios dhe më pas u konfirmua nga Karoline Leavitt, zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë.

Ajo tha se SHBA është konsultuar me Izraelin në lidhje me këto “bisedime dhe diskutime në vazhdim” me Hamasin.

– Të bisedosh me njerëz në mbarë botën për të bërë atë që është në interesin më të mirë të popullit amerikan është diçka që presidenti e konsideron të drejtë, tha Leavitt.

SHBA e konsideron Hamasin një organizatë terroriste dhe, sipas Axios, SHBA nuk ka pasur më parë bisedime të drejtpërdrejta me këtë grup të armatosur islamist, i cili vazhdon të mbajë pushtetin në Rripin e Gazës.

Sipas Axios, kontaktet me Hamasin i ka pasur Adam Boehler, i dërguari i SHBA për çështjet e pengjeve. Bisedimet kanë pasur në fokus pengjet amerikane në Gaza dhe mundësinë e një marrëveshjeje më të gjerë për t’i dhënë fund luftës mes Hamasit dhe Izraelit./Dagsavisen/ Perktheu MekuliPress/

By