Administrata amerikane njoftoi ndalimin e disa aromave të cigareve elektrike, mjaft popullore në vend, përfshirë ato më fruta dhe me mente, në mënyrë që të ulet përdorimi i cigareve elektronike me avull te adoleshentët, duke lejuar në treg vetëm produkte me aromë duhani dhe mentoli.

Avokatët dhe aktivitstët e shëndetit publik e kanë kritikuar ashpër ligjin e ri, pasi sipas tyre, nuk është aspak i mjaftueshëm për të arritur qëllimin e synuar. Më herët, në shtator të vitit të kaluar, administrata trump propozoi ndalimin e çdo lloj cigareje elektronike me aromë tjetër veçse asaj të duhanit.

Por, më vonë administrata u tërhoq nga ky vendim, duke u arsyetuar me frikën se diçka kaq drastike mund të rrisë tregun e paligjshëm të këtyre produkteve, si dhe të sjellë vende pune të humbura.

Përqindja e adoleshentëve në shkollat e mesme që përdorin cigare elektronike fiksohet në 27.5% në 2019-ën, nga rreth 20% në 2018-ën, thonë të dhënat më të fundit.

Mentja është aroma më popullore, me 40% të përdoruesve. Ekspertët shprehen se mosndalimi i mentolit do të bëjë që adoleshentët thjesht të kalojnë te kjo aromë tanimë. Ndalimi do të hyjë në fuqi në muajin shkurt.