Donald Trump nuk ka lënë vetëm një SHBA të ndryshme nga ajo që gjeti, por edhe një botë të ndryshme. Manifestimi i drejtpërdrejtë i këtij ndryshimi është edhe roli i SHBA në botë, edhe në ato rajone ku më parë dukej se ajo ishte fuqia diktuese.
Në një intervistë për France24, kryeministri palestinez, Mohammed Shtayyeh, ka deklaruar se në situatën e tanishme, SHBA nuk mund të jetë më fuqia e vetme që negocion për paqen në Lindjen e Mesme, por për këtë gjë duhet një përfshirje më e madhe ndërkombëtare. Sipas tij, nuk ka ndonjë shenjë se administrata e re amerikane të ketë synime apo plane që të zhbëjë vendimin e administratës së Trump për të zhvendosur ambasadën amerikane në Izrael në Jeruzalem. Dhe kjo është arsyeja, pra rreshtimi i hapur i SHBA që e zhvlerëson edhe formalisht rolin e saj si ndërmjetëse.
Është e qartë se SHBA po nis të përballet qysh tani me problemin e autoritetit dhe kredibilitetit, çka mundet që herët apo vonë të çojë në ndërhyrje të reja ushtarake, ndërkohë që përballja kryesore që po fermentohet është ajo me Kinën në Paqësor.