Qeveria e Kosovës ka vendosur që të ofrojë strehim të përkohshëm për 50 persona nga vendet e treta, në kuadër të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kështu u bë e ditur në një njoftim nga qeveria në detyrë.

“Personat subjekt të këtij vendimi, gjatë kohës së qëndrimit në Republikën e Kosovës, do të veprojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe do të gëzojnë të drejtat e përcaktuara me legjislacionin në fuqi”, njoftoi ekzekutivi në detyrë, pasi mbajti një mbledhje elektronike më 11 qershor.

E ky vendim i qeverisë në detyrë u mirëprit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ambasada e SHBA-së në Kosovë ka thënë se e mirëpresin këtë bashkëpunim.

Nga Departamenti Amerikan i Shtetit gjithashtu kanë mirëpritur bashkëpunimin me Kosovën.

“Ne jemi mirënjohës ndaj partneres sonë, Kosovës, për pritjen e shtetasve të vendeve të treta të larguar nga SHBA-ja dhe për lehtësimin e kthimit të sigurt të këtyre të huajve në vendet e tyre të origjinës”, ka thënë DASH-i në përgjigje për CBSNews.

DASH-i ditë më parë konfirmoi se shtetet e Ballkanit ishin përfshirë në kontaktet brenda një strategjie amerikane për dëbimin e shtetasve të huaj pa status të rregulluar.

Kujtojmë se Qeveria në detyrë, është shprehur e gatshme të diskutojë edhe me Mbretërinë e Bashkuar për ngritjen e “qendrave të kthimit” në Kosovë për azilkërkuesit e refuzuar nga ishulli britanik. 

By