Shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, beson se Rusia nuk dëshiron paqe në Ukrainë dhe paralajmëron kundër rënies në “kurthin e Rusisë”.
Deklaratat e saj vijnë pas takimit të së martës midis ministrave të jashtëm të SHBA-së dhe Rusisë.
– Nëse flasim për forca paqeruajtëse, atëherë po biem drejt në kurthin rus, sepse ata nuk duan paqe, – paralajmëroi kryediplomatja e BE-së, Kaja Kallas, në një intervistë për Euractiv.
Vetëm një ditë pas një takimi urgjent të liderëve evropianë në Paris, Kallas paralajmëroi se përpjekjet për të krijuar një koalicion për një mision paqeruajtës ishin të nxituara dhe theksoi se rusët “nuk duan paqe, nuk ka paqe”.
Para se të diskutohen këto çështje, sipas saj, fokusi i Evropës duhet të jetë vendosja e Ukrainës në një pozitë ku ajo të jetë “në gjendje të thotë jo një marrëveshjeje të keqe”.
Koment i MekuliPress:
Kjo thirrje e Kallasit për të mos rënë në kurthin rus është e ngjashme me paralajmërimet e vazhdueshme të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili prej katër vitesh po e thërret BE-në të mos bjerë në kurthin e Rusisë dhe Serbisë. Kurti ka argumentuar vazhdimisht se Serbia, me mbështetjen e Moskës, kërkon të minojë stabilitetin e Ballkanit përmes taktikave të njëjta që Rusia përdor në Ukrainë, shkruan MekuliPress.
Ky duhet të jetë një leksion edhe për Brukselin: përvoja me Ukrainën tregon se dialogu dhe koncesionet ndaj një agresori nuk sjellin paqe, por vetëm e forcojnë atë. Ashtu siç Rusia nuk e ka ndalur agresionin e saj me “negociata”, edhe Serbia vazhdon të përdorë të njëjtën strategji ndaj Kosovës, duke e penguar integrimin e saj ndërkombëtar dhe duke ushtruar trysni përmes destabilizimit rajonal.
Dilema e Ukrainës sot mund të jetë e Kosovës nesër. Andaj, BE-ja duhet të marrë seriozisht këtë paralajmërim dhe të qëndrojë konsekuente në mbështetjen ndaj vendeve që janë të rrezikuara nga ndikimi rus dhe aleatët e tij në Ballkan. Këtë paraljmërim duhe ta ketë parasyshë edhe opozita e Kosoves dhe media e sajë propagandistike.