Shkatrimi i gjurmëve arkeologjike Iliro-Dardane të shqiptarëve në Shkup. Pse partitë shqiptare heshtin?

Nga Afrim Fanda

“Ndryshimet kushtetutese për përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutën maqedonase, si popull shtet-formues duhet të miratohen… shqiptarët do ta mbështesin në tërësi identitetin maqedonas” deklaroi lideri i BDI z. Ali Ahmeti në takimin e kryeministrit shqiptar z. Edi Rama, me krerë të të partive politike shqiptare nga “Maqedonia e Veriut”, më 10 janar 2023.

Por z. Ali Ahmeti nuk është kreu i vetëm i partive politike shqiptare që mbështet identitetin “maqedonas” të bashkëqytetarëve të tij sllavë, në dëm të interesave të bashkëqytetarëve të tij shqiptarë, të cilët kushtetuta e vendit i konsideron si pakicë e ardhur! Kështu, z. Arben Taravari votimin e ndyshimeve kushtetutese, si kusht për hapjen e negociatave me BE, e konsideron si “një mundësi shumë të mirë për afirmimin ndërkombëtar të identitetit maqedonas”.  Ndërsa, kërkesën e shqiptarëve që përfaqësojnë së paku 30% të popullsisë, për të drejtën e tyre të pamohushme dhe të domosdoshme për “riorganizimin dhe ridefinim të shtetit” që do t’u jepte hapsirë të drejtave të tyre kolektive të nëpërkëmbura, e konsideron si “frustracion” i cili mund të paraqitet vetëm në rast të “rezikimit të perspektivës evropiane”.

Ndërkohë qëndrimi i partive Alternativa dhe Besa, tani më dihet qartë – historia e shqiptarëve fillon me Perandorinë Osmane dhe konvertimin e tyre në fenë islame. Ndaj nuk janë të interesuar fare për të kaluarën e vjetër, “të pafe” të shqiptarëve!

Gjetjet arkeologjike të shumta Iliro-Dardane, përfshirë edhe këto të ditëve të fundit, që dëshmojnë qartë për Shkupin kryeqendër të Dardanisë, bien ndesh me projektin serb të identitetit “maqedonas”, që Shkupin e konsideron kryeqytetin e shtetit komb të  “Maqedonisë (së Veriut)” ku shqiptarët janë pakicë e ardhur nga Kosova dhe Shqipëria.  Ndaj keto gjurmë arkeologjike dhe këto site arkeologjike duhet të zhduken nga faqja e dheut dhe te zëvendësohen me pallate moderne dhe asfallt që mbulon historinë e vjetër – të vërtetë dhe tregon vetëm historinë e re – atë të mashtrimit dhe përvetësimit .

Lufta për legalizimin e identitetit “maqedonas” të përvetësuar nga sllavët, e maskuar me “perspektivën evropiane të shtetit” është “kauza politike” e partive shqiptare, që sqaron heshtjen e tyre gjatë këtyre ditëve, dhe angazhimin e tyre, prej mercenarëve në vazhdimësi, që kanë marrë detyrat nga padroni, në këmbim të privilegjeve që u jep pjesëmarrja në pushtet.

Heshtin edhe institucionet e shtetit shqiptar, të zhytyr në krim dhe korrupsion, në vazhdimësi të sjelljes së pushtetit monist, që në mbrojtje të ideollogjive internacionaliste, shqiptarët jashtë kufirit i la në mëshirën e projekteve serbo-ruse.

E Kosova, shpresojmë që mos të harrojë se kryeqyteti i Dardanisë nuk është në Kosovën e Ahtisarit, por në Shkupin e shqiptarëve të  “Maqedonisë”!