Ndonëse në Kanada numri masiv i rasteve me virusin “Corona” ka arritur pas kontinentit evropian, masat mbrojtëse këtu janë marrë gati paralel me shumë vende të Bashkimit Evropian dhe më gjerë. Dhe tashmë kur po bëhen më shumë se gjashtë javë në karantinë të detyrueshme të shoqërisë kanadeze, nevoja për ndihmë ndaj njëri-tjetrit sa vjen e shtohet. Meqë aktivitetet komunitare shqiptare janë anuluar të gjitha, aktivistët e mbledhur rreth Shoqatës së Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze të Torontos në Kanada kanë nisur aktivitetin e tyre human me dy gjeste me vlerë.
Organizata e famshme bamirëse në Kanada “Compass Food Bank” në Toronto që kujdeset për ushqime dhe veshmbathje për shtresat e ndryshme të kësaj shoqërie, por edhe për shpërndarje falas të ushqimit tek njerëzit me nevoja të veçanta, ka njoftuar se ka marrë disa maska si dhuratë nga shoqata më e madhe e komunitetit shqiptar të Kanadasë.
Maskat u dorëzuan nga kryetari i shoqatës Bujar Zejnullahu dhe nënkryetarja Irena Breznica, aktivistë të dalluar në komunitet prej disa vitesh. Ata, në emër të komunitetit shqiptar, falënderuan punonjësit dhe vullnetarët e “Compass Food Bank” për punën e tyre në këtë kohë të jashtëzakonshme dhe sfiduese për gjithë njerëzimin, me ç’rast shkëmbyen edhe përvojat e tyre në punët vullnetare në mbarëvajtjen e komunitetit në përgjithësi. Në një deklaratë për gazetën “Diaspora Shqiptare”, Zejnullahu theksoi se kanë dorëzuar rreth tridhjetë maska për punëtorët dhe vullnetarët e organizatës bamirëse në Toronto. Përmes një postimi në rrjetin e saj në Facebook, Organizata Bamirëse Kanadeze “Compass Food Bank” ka falënderuar shoqatën dhe komunitetin dhe drejtuesit e saj për dhuratën shumë të nevojshme në këtë kohë pandemie.
Vetëm pak kohë pas këtij gjesti human me shoqatën bamirëse të Torontos, Shoqata e Bashkësisë Shqiptaro- Kanadeze “ka ndërmarrë një iniciativë për porositjen dhe shpërndarjen e disa maskave me motive shqiptare, edhe për komunitetin shqiptar këtu”. Sipas kryetarit të shoqatës, Zejnullahut, tashmë ka nisur pajisja me maska e anëtarëve të shoqatës, të cilët kanë nevojë. “Maska të tilla do t’i dhurohen edhe bizneseve thelbësore shqiptare që operojnë në Toronto apo GTA (Greater Toronto Area), varet sipas kërkesave dhe mundësive që t’i mbërrijmë bizneset shqiptare në Ontatio”, thekson Zejnullahu.
Maskat me ngjyrë të kuqe dhe të kaltër u punuan nga stilistja e njohur shqiptare Tatjana Kaci- Sherifaj, ndërkaq stemat e flamurit kombëtar dhe shtetit të Kosovës u vendosën nga aktivistët e vetë shoqatës. Stilistja në fjalë para disa ditësh ka qenë personazh human edhe në gazeta nga fakti se kishte nisur prodhimin e maskave mbrojtëse për komunitetin. Maska e prodhuar me dorën e Tatjanës është maskë pambuku dhe me një filtër, e cila ndihmon në mbrojtjen e fytyrës nga infektimi i mundshëm, andaj prej lancimit të projektit te saj, ajo ka hasur në mirëkuptim edhe të komunitetit shqiptar, por edhe të shoqërisë kanadeze.
“Duke e parë interesimin dhe nevojën e anëtarëve tanë, ne e pamë të arsyeshme që t’i ofrohemi butikut të Tatjanës, e cila na ka dhuruar falas disa maska, ndërsa disa të tjera i kemi paguar nga buxheti i shoqatës. Ideja është që ne duke blerë e shpërndarë të ndihmojmë njëri-tjetrin në këtë kohë derisa të kalon pandemia, për fundin e së cilës po lutemi të gjithë”, përfundo Zejnullahu.
Drejtuesit e Shoqatës u bëjnë thirrje të gjitha bizneseve thelbësore shqiptare në Toronto të lajmërojhen në e-mailin: info@albcan.ca ose të kontaktojnë dikë nga kryesia e shoqatës për t’u pajisur me maska mbrojtëse.