Prej që e shpalli kandidaturën për shefe të shtetit, Vjosa Osmani është bërë cak i sulmeve, shkruan Syri.net Kosova.

Sulmet, kritikat e, edhe ofendimet nuk iu ndalën Vjosa Osmanit për asnjë moment, qoftë me anë të rrjeteve sociale, qoftë direkt prej debateve televizive nga kundërshtarët e saj.

Por të gjitha këto, nuk u bëri përshtypje aspak Organizatave Joqeveritare të Grave.

OJQ-të,  që zakonisht jemi mësuar t’i shohim me reagime të ndryshme kur bëhet fjalë për një grua, e madje deri në organizim të marsheve të ndryshme,  kësaj radhe si duket e kanë mbyllur gojën, duke mos bërë as edhe një reagim të vetëm në lidhje me këtë situatë.

Kjo mosmbështetje e zgjedhjes së Osmanit për presidente nga ana e shoqërisë civile, vërehet qartë në faqet e tyre zyrtare ku nuk kanë bërë asnjë deklaratë.


Pikërisht për këtë temë, ka reaguar edhe kritiku i mediave, Gëzim Mekuli, përmes një postimi në Facebook, i cili thotë se shoqëria civile akoma nuk ka reaguar e as që ka bërë ndonjë deklaratë në lidhje me horrorin politik e psikologjik që po u bëhet qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës.

Derisa thotë se OJQ-të nuk do të ishte mirë të kalkulonin, përcjell Syri.net Kosova.

“Shoqëria civile duhet të jetë gardian i civilëve (qytarëve) të shtetit, pa dallim gjinie, feje, kombi a statusi social. Është shumë me rëndësi të nënvizohet se kurë, me kohë apo shumë vonë, pra në cilën kohë, bëhet reagimi publik. OJQ-të duhet të jenë prodhuese të opinionit publik, pra duhet të prinë me ide, me kritika e me këshilla, e jo të jenë të varur e të frikësuar nga idetë mu sikurse ai “viqi që shkon pas lopës” . Shoqëria civile, të dashur lexues, duhet të jetë lidere e proceseve, ideve, opinioneve dhe e kritikës publike, e asesi bisht i mendimeve, ideve, veprimeve dhe kritikave dominuese, që janë prodhim i “spin doktorëve” të mediave të sunduesve e të vetë sunduesve”, ka shkruar ai.

Dy tentativa për zgjedhjen e Vjosa Osmanit si presidente e vendit, dështuan mbrëmë gjatë seancës së jashtëzakonshme.  Ndonëse në sallë kishte kuorum të mjaftueshëm për zgjedhjen e presidentit, prej 82 deputetësh, në kutin e votimit u vendosën vetëm 79 vota. Kjo pasi tre deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, Avdullah Hoti e Driton Selmanaj nuk luajtën nga vendi për të votuar.