Qëndresa Qytetare publikonte sot disa të dhëna për arsimin: 2890 nxënës kanë braktisur shkollën në dy vite, mungojnë 291 mësues, ka patur 2662 raste dhune në shkolla, pajisja me kompjutera shkon në raportin 1 kompjuter për 20 persona dhe në sistemin univeristar ka 20% më pak studentë.
Sido që ta analizosh këtë shfaqje shifrash, ajo të rezulton negative. Për arsimin shqiptar nuk mjafton më fjala “krizë” për të shpjeguar gjendjen ku ndodhet. Fjala më e përshtatshme është Shëpërbërje.
Mund të dalin lloj-lloj statistikash e të na flasin për të kundërtën, por si qytetarë, si banorë, e sidomos si prindër dhe njerëz që jemi shkolluar më herët në këtë vend, ne mund të flasim me më shumë shqetësim objektiv sesa kushdo. Është një shpërbërje pasi shkolla jonë nuk edukon më për asgjë, pasi duhet të kuptojmë fare mirë rolin: mbledhje, shumëzim mëson kushdo. Ndoshta edhe me vetëm shkollën fillore. Sikurse mëson edhe të shkruajë e të lexojë. Edukimi dhe edukata janë krejt tjetër gjë. Dhe nuk e bën dot këtë asnjë shkollë e rikonstruktuar, sepse shkolla si sistem është Njeriu. Aty ku kemi dështuar tërësisht e kemi marrë me vete si i mbyturi që tërheq çfarë të mundet edhe atë arsim që kishte mbetur.