“Shqipëria është e jona, dhe ne do të bëhemi të sajët”

Intervistë ekskluzive me Albin Kurtin, kryeministrin në pritje të Kosovës, me rastin e 28 Nëntorit – 22 vjet pas vizitës së tij të parë mes shqiptarëve të Amerikës

Nga Ruben Avxhiu

Në 28 Nëntorin e largët 1997, festimet e Ditës së Flamurit në komunitetin e shqiptarëve të Amerikës vinin bashkë me një kuriozitet të madh. Kishin mbërritur në SHBA, me ftesë të Administratës Clinton, udhëheqësit e protestave studentore. Mes tyre ishte edhe një emër që do të bëhej shumë i njohur: Albin Kurti.

Nga faqja e parë e gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria”, në New York, numri i datës 3-5 dhjetor 1997, që përshkruan vizitën e Albin Kurtit dhe udhëheqësve të Unionit Studentor në SHBA dhe mes shqiptarëve të Amerikës, me rastin e 28 Nëntorit.

Kanë ndodhur kaq shumë ngjarje në Kosovë e në botën shqiptare që atëhere sa që kjo duket si një ndodhi nga një jetë tjetër. Ishte koha kur Kosova, e bashkë me të edhe komuniteti shqiptar në SHBA ishte duke filluar një kapitull të ri të historisë. Politika e qëndresës së madhe paqësore që siguroi kapital politik e simpati mbarëbotërore për Kosovën po bëhej gati t’ia linte vendin luftës së armatosur. Ndonëse shumë pak dihej për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe dyshimet ishin të shumta. A janë djemtë tanë, apo provokatorë të Beogradit?

Në mes të këtyre dy realiteteve, njërit që po largohej dhe tjetrit që po vinte, doli në skenë Unioni Studentor i Kosovës me protestat e tij të jashtëzakonshme. Bota pa me sytë e saj se si shqiptarët në moshë të re, që po kërkonin diçka shumë të thjeshtë, njerëzore e të pafajshme, të drejtën për të hyrë në shkollat e tyre. Të drejtën minimale humane për arsim dhe dije. Bota pa gjithashtu sesi u pritën në mes të Prishtinës dhe të qyteteve të tjera, me tankse, me dhunën e shkopijve, me urrejtjen e një regjimi të natyrës fashiste.

Harroje për një çast qëndresën paqësore, për Republikë, apo për vetëvendosje, vetëqeverisje, apo çfarëdo niveli autonomie. Këtu ishte rinia e një shoqërie që po testonte vullentin e asaj çfarë kishte mbetur nga Jugosllavia, për të lejuar shkollimin normal në gjuhën amtare.

Dhuna kundër studentëve ishte në të vërtetë mbyllja e kapitullit. Në botën e opinioneve politike kishte dashuri për ta por edhe padurim. Ishin paqësorë, po nuk ishin pjesë e elitës së viteve 1990, që papritur po humbiste besimin dhe kontrollin në popull. Ishin të rinj, po nuk ishin në mal me armë në duar, ishin në dyert e shkollave me libra. Mirëpo, ishte shtypja me dhunë e kësaj lëvzjeje që u dha justifikimin konkret të dy krahëve të politikës për dorëzimin e stafetës historike: qëndresës paqësore që nuk mund të ecte më me një regjim kriminal si ai i Millosheviqit, dhe luftës së armatosur, se mbetej e vetmja alternativë në një vend ku njeriut me libër në dorë i kundërvihej tanksi i ushtrisë.

Një nga intervistat e gazetares dhe aktivistes Alice Mead, me Albin Kurtin dhe udhëheqës të tjerë të rinj të Kosovës, të botuara në gazetën “Illyria”, në periudhën dhjetor 1997-shkurt 1998.

Ishte domethënëse që pikërisht në atë 28 Nëntor 1997, UÇK bëri edhe daljen e saj të parë publike.

Në takime në New York, shqiptarët e Amerikës kishin pyetje pa fund për Albin Kurtin dhe Bujar Dugollin që kishin udhëtuar nga Kosova. Ata u takuan me rininë shqiptare në SHBA. Udhëtuan në Washington për t’u takuar me zyrtarë amerikanë. Një takim u bë edhe në zyrën e kongresistit Engel. Disa fotografi me këshilltarine  tij legjislativ, Jason Steinbaum u botuan në gazetën “Illyria” të kohës.

Alice Mead, në atë kohë, një aktiviste amerikane e apasionuar pas Kosovës, intervistoi Albin Kurtin në dhjetor, në SHBA, e pastaj në janar e në shkurt në Kosovë, ndërsa vendi po zhytej në mënyrë të pashmangshme në luftë.

E kam intervistuar edhe vetë për gazetën “Illyria”, në 28 Nëntorin e vitit 2006, e pastaj kur UNMIK-u po përpiqej ta dënonte me burgim për shkak të protestave në vend.

Sot, 22 vjet pas asaj vizite të parë mes shqiptarëve të Amerikës, Albin Kurti është njeriu që po përgatitet të marrë në dorë qeverisjen e Kosovës. Sot, Kosova është e lirë dhe e pavarur, ndonëse probleme të tjera e kanë venitur dekadën e parë të pavarësisë. Ashtu si në atë 28 Nëntor të largët 1997, figura e tij paralajmëron një tjetër kapitull të ri për Kosovën.

Në këtë intervistë ekskluzive me gazetën “Illyria”, u prekën shkurtas kujtimet e asaj vizite të parë në komunitet, suksesi i Lëvizjes Vetëvendosje mes shqiptarëve të diasporës, marëdhëniet Kosovë-SHBA si dhe mënyrat me të cilat shqiptarët jashtë atdheut, veçanërisht këtu në SHBA, mund të ndihmojnë Kosovën. (Intervista u krye përpara ngjarjes së rëndë të tërmetit dhe nuk pasqyron zhvillimet e ditëve të fundit.)

1) Së pari, nëse mundeni, cilat ishin përshtypjet tuaja për atë vizitë të parë të vitit 1997 për komunitetin shqiptar në SHBA?

Ishin kohë të vështira për kombin tonë. Kohë që thërrisnin për angazhim. Atëbotë kam qenë student i ri, i angazhuar në Unionin e Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës. Në një delegacion studentësh kemi vizituar Shtetet e Bashkuara, për të ndihmuar në ngritjen e vetëdijes së publikut dhe institucioneve amerikane sa i përkiste situatës në Kosovë dhe synimeve tona për arsim dhe pavarësi. Kemi patur takime me personalitete e përfaqësues institucionesh, si psh. me zotërinjtë Robert Gelbard e Matthew Palmer, kemi kërkuar mbështetje për protestat studentore që do të vijonin, e më gjerë, për çlirimin e Kosovës. Isha plot shpresë se ajo mbështetje do të vinte.

Komuniteti shqiptar në Shtetet e Bashkuara në atë kohë ishte shumë i organizuar rreth çështjes politike të Kosovës. Puna dhe kontributi i tyre në atë drejtim ka qenë aq i madh sa ndoshta kurrë nuk do t’u jemi mirënjohës sa duhet. Ata jo vetëm që kanë lobuar në institucionet, politikën dhe opinionin publik amerikan, por edhe kanë ndihmuar me mjete ekonomike e ushtarake, më vonë edhe me ndihma humanitare, popullin e Kosovës që nga njëra anë luftonte kundër gjenocidit, nga ana tjetër kërkonte liri. Atëbotë shqiptarët e Amerikës m’u duk sikur i kishin tejkaluar dallimet partiake dhe ishin bërë bashkë për Kosovën. Do të doja që edhe sot të organizoheshin, të bashkoheshin, përtej çdo dallimi, për Kosovën, për Shqipërinë, për popullin tonë autokton në trojet e veta gjithandej Ballkanit. Situata në 2019 është e ndryshme, por nevoja për kontributin e tyre është shumë e madhe. Ne do të punojmë fort për ta tërhequr e për ta mirëpritur atë kontribut.

2) Si e shpjegoni suksesin e madh të Vetëvendosjes në votat e diasporës?

Suksesi ishte i madh në të gjithë shtresat e votuesve, të gjitha moshat, profesionet, prejardhjet, gjinitë. Pra, fituam në të gjithë këta segmente, edhe te votuesit që votojnë brenda në Kosovë, dhe të gjithë ishin të domosdoshëm për këtë fitore.

Sa i përket mërgatës, mendoj se përqindja shumë e lartë e LVV në votat e tyre rrjedh si pasojë e dy gjërave: së pari, me vështirësitë që paraqet votimi jashtë vendit, duhet të kesh shpresë e dëshirë të zjarrtë për ndryshim që të shkosh të votosh. E ata që duan ndryshimin kanë ditur ku e gjejnë atë. Së dyti, mërgata ka parë te Lëvizja një mentalitet të ngjashëm me atë të vendeve ku jetojnë e punojnë. Një mentalitet të ndjenjës së detyrës ndaj atdheut e shoqërisë, të respektimit të të drejtave e mospranimit të korrupsionit, të etikës së punës dhe organizimit, si dhe një hapje për mendime, ide e kontribute. Besoj që këto kanë qenë arsyet pse mërgata na ka mbështetur, e tash është radha e Lëvizjes që ta mbështesë mërgatën.

3) Çfarë mund të bëjnë shqiptaro-amerikanët për të ndihmuar Kosovën dhe një epokë ndryshimesh rrënjësore në republikën e re?

Ne kemi shumë pak, e na duhet shumëçka. Shqiptaro-amerikanët mund të na ndihmojnë me dy gjëra të rëndësishme: kapital dhe ide. Kapital përmes investimeve. Ne do të ravijëzojmë prioritetet dhe sektorët strategjikë, në të cilët ne do të përpiqemi të ndërtojmë potencialin prodhues të Kosovës, e për këtë do të punojmë me investime private e shtetërore, duke favorizuar investuesit me origjinë shqiptare. Por na duhen edhe ide, e këto i marrim duke ftuar ekspertët shqiptaro-amerikanë të kontribuojnë në çdo fushë që rregullohet prej qeverisë së Kosovës, që nga planifikimi e deri te zbatimi i politikave publike. I marrim idetë edhe duke dërguar studentët tanë më të mirë në universitetet elitare amerikane, gjë e cila po ashtu do të kërkojë ndihmën filantropike të shqiptaro-amerikanëve.

4) Çfarë prisni nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës lidhur me Kosovën? Çfarë mendoni se pret SHBA nga ju?

Nga Shtetet e Bashkuara pres të jenë aleati ynë i rëndësishëm, siç kanë qenë historikisht. Ballkanit po i kthehet nxehtësia gjeopolitike, e në situatat e reja, duhen thelluar e forcuar aleancat.

Nga SHBA pres bashkëpunimin e ndihmën për një ushtri moderne dhe efikase të Kosovës, si dhe një rigjallërim të bashkëpunimit për politikën e jashtme të Kosovës, ku dihet se SHBA ka kontribuar më së shumti për të rritur numrin e njohjeve. Të vazhdojmë punën në atë drejtim. Sidomos tani kur ka përparuar kundërshtari, duke bërë që disa vende edhe t’i tërheqin njohjet.

5) Cili është mesazhi juaj për 28 Nëntorin, për lexuesit tanë e për shqiptarët kudo që jetojnë?

Ta gëzoni festën e pavarësisë, ditën e flamurit tonë të përbashkët kombëtar. Është festa e pavarësisë së Shqipërisë, por edhe Shqipërinë e kemi të përbashkët, sepse në Pavarësinë e saj kontribuan shumë edhe shqiptarët e Kosovës, siç dihet nga të gjithë. Shqipëria është e jona, dhe ne do të bëhemi të sajët, sepse punojmë për të. Republika e Kosovës është rezultat i së njëjtës përpjekje dhe pjesë e të njëjtit projekt, prandaj, ta festojmë datën 28 nëntor duke mbajtur në mend punët që na presin, dhe detyrimet që kemi ndaj popullit tonë i cili pret avancime konkrete. Shqiptarëve u duhet drejtësia me të tjerët jashtë dhe me njëri-tjetrin përbrenda, u nevojitet arsimimi cilësor, zhvillimi ekonomik, punësimi adekuat, mirëqenia sociale. Le të punojmë e angazhohemi bashkë për të mirën e përbashkët.