Edhe pse ka përfunduar sezoni veror, Shqipëria ende vijon të mbetet një vend i vizituar nga të huajt.

Në muajin nëntor, janë 547 mijë turistë që e kanë vizituar vendin, duke e çuar shifrën vjetore në thuajse 9.5 milion.

Pritshmëritë janë që këtë vit numri i turistëve të arrijë në 10 milionë.

Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama, i cili tha se kjo shifër tregon se vendi po vizitohet në çdo stinë të vitit dhe në çdo zonë të tij dhe se Shqipëria po konfirmohet si një superdestinacion i turizmit gjithëvjetor e të qëndrueshëm.

Viti 2023 ka shënuar një rekord historik të turizmit në Shqipëri. Përballë kësaj rritje të fortë të sektorit të turizmit, Ministria e Turizmit ka përgatitur një ligj të ri për turizmin dhe strategjinë e re 2024-2030.

Synimi është nxitja dhe mbështetja e sektorit privat, me qëllim garantimin e konkurrencës dhe standarteve në sektor.