Çfarë statusi do të kanë qytetarët e Kosovës dhe pasuria e tyre që e kanë në Shqipëri, duke pas parasysh faktin se qytetarët e Kosovës nuk kanë të drejtë të punojnë as jetojnë në BE?
Ali Sh. Mehmeti, 23.06.2025
Edi Rama në fushatën e fundit zgjedhore i ka premtuar shqiptarëve të Shqipërisë londineze, se gjatë mandatit që do ta fitoj, Shqipëria do të hyjë në BE, ose sipas fjalorit të tij, shqiptarët do ta kenë “pasaportën evropiane”! Natyrisht, sikur çdo premtim edhe ky mund të mbetet vetëm premtim, edhe pse, duke pasur parasysh situatën gjeopolitike, nuk përjashtohet mundësia e realizimit të këtij premtimi.
Por, çka do i sjell Shqipërisë hyrja në BE?
Gjithsesi se ky anëtarësim do të sillte shumë efekte pozitive siç janë:
– Benefitet financiare që do ndihmojnë në ndërtimin e infrastrukturës, zhvillimin rural, arsimin, bujqësinë dhe inovacionin;
– Tërheqjen e investimeve të huaja, sepse investitorët ndihen më të sigurt në një vend anëtar të BE-së për shkak të stabilitetit ligjor dhe ekonomik;
– Rritjen e tregtisë me vendet e BE-së, pa tarifa doganore dhe me më pak barriera burokratike
– Përafrimi me standardet e BE-së mund të përmirësoj të drejtat e punëtorëve, mbrojtjen sociale dhe barazinë gjinore, sikurse edhe të përmirësoj cilësinë e ushqimit dhe ujit duke zvogëluar ndotjen
– Presioni i BE-së mund të forcojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe të përmirësoj sistemin gjyqësor dhe sundimin e ligjit.
Siç na mëson një fjalë e urtë, çdo e mirë ka edhe nga ndonjë të keqe dhe anasjelltas.
Cilat janë pra ato të këqija?
– Hyrja në BE mundëson, përveç lëvizjes së lirë që qytetarët shqiptarë e kanë tani, edhe mundësinë e punësimit dhe të jetesës në BE. Sado që kjo duket mundësi e mirë, ajo mund të shkaktoj emigracion edhe më të madh se ç’është aktualisht. Kjo rritje mund të shkaktoj çrregullime demografike dhe ekonomike me pasoja të rënda. Sidomos duke marrë parasysh faktin se mosha mesatare në Shqipëri është 44.3 vjet, me ç’rast u “kualifikua” ndër 11 vende më të plakura në Evropë, ndërkohë që në vitin 2010 mosha mesatare ishte 31.9 vjet. Ritmi i plakjes është i jashtëzakonshëm: 12.4 vite në vetëm 14 vjet, katër herë më shumë se mesatarja e vendeve të BE-së.
– Zbatimi i rregullave dhe standardeve të BE-së është i shtrenjtë, sidomos për sektorin bujqësor, mjedisin dhe industrinë, që mund të shkaktoj falimentimin e shumë bizneseve të vogla që nuk do mund të përballojnë kostot.
– Hapja e tregut ndaj produkteve të BE-së mund të dëmtojë prodhuesit vendas, sidomos në bujqësi dhe industri të lehta, për shkak të konkurrencës më të fortë dhe produkteve më të lira.
Këto të cekura më lartë, janë pak a shumë të njohura për të gjithë ata që sadopak janë të interesuar t’i dinë. Ato që nuk i dimë dhe që nuk janë temë e diskutimit as në hapësirën mediale as hapësirën politike, janë ndikimet mbi Kosovën që do ketë hyrja e Shqipërisë në BE. Tani për tani, mund të shtrohen vetëm disa pyetje:
– Çfarë statusi do të kanë qytetarët e Kosovës dhe pasuria e tyre që e kanë në Shqipëri, duke pas parasysh faktin se qytetarët e Kosovës nuk kanë të drejtë të punojnë as jetojnë në BE?
– Çka do të ndodhte me kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës nëse BE rifut vizat për qytetarët e Kosovës, për ndonjë arsye. Psh. për të bërë presion mbi Kosovën për ta pranuar ndonjë marrëveshje të pafavorshme për Kosovën në raport me Serbinë?
– A do e ushtron ndikimin e vet pozitiv Shqipëria brenda BE-së, për ta përmirësuar pozicionin e Kosovës apo BE-ja do ushtron presion mbi Shqipërinë për të ndikuar në Kosovën për pranimin e “kompromiseve të dhimbshme” në raport me Serbinë? Ata që mendojnë se pas 5 viteve kjo çështje nuk do jetë në rend dite, gabohen. Aq më parë duke njohur politikën e bashkësisë ndërkombëtare gjer me tani.
– Sipas të cila rregullave do zhvillohet tregtia dhe bashkëpunimi ekonomik, tani më i vendosur ndërmjet dy ekonomive?
– A do ndihen qytetarët shqiptar të Kosovës “të lënë mënjanë” ose të dorës së dytë, ndërkohë që shqiptarët e Shqipërisë do kenë përfitime të drejtpërdrejta të cekura më lartë? A do ndikoj kjo në ndasi brenda kombit dhe ti shërbej sikur “karburant” “kosovacentristëve”?
A do mund ti kundërvihen këtyre pasojave, potencialisht negative, politikanët shqiptar, duke harmonizuar strategjitë kombëtare, duke lidhur marrëveshje dypalëshe për qarkullim, tregti, treg të përbashkët të punës, arsimin dhe edukimin, duke ngritur platforma kulturore dhe arsimore për ruajtjen e identitetit të përbashkët përtej ndarjeve juridike (dhe politike)?!