Një gazetar i agjencisë së lajmeve Associated Press (AP) u ndalua sërish të marrë pjesë në një aktivitet në Zyrën Ovale të mërkurën. Arsyeja e këtij ndalimi është se AP përdor termin “Gjiri i Meksikës” dhe jo “Gjiri i Amerikës”.

AP kishte tentuar të dërgonte një gazetar për të raportuar mbi nënshkrimin e një urdhri ekzekutiv në Shtëpinë e Bardhë të martën, por ai u ndalua edhe atë ditë. Të mërkurën, AP mori të njëjtën përgjigje – këtë herë në ceremoninë e betimit të Tulsi Gabbard si drejtuese e shërbimeve të inteligjencës.

“Administrata Trump po vepron kundër gënjeshtrave të mediave,” deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.

“Ne kemi të drejtën të vendosim se kush mund të hyjë në Zyrën Ovale,” vijoi ajo, duke shtuar se të qenit pjesë e konferencave për shtyp në atë hapësirë nuk është një e drejtë, por një privilegj.

“Nëse ndiejmë se mediat që ndodhen aty përhapin gënjeshtra, atëherë do t’i mbajmë përgjegjëse për dezinformimin e tyre,” tha Leavitt.

Sipas saj, “është fakt që ujërat pranë brigjeve të Luizianës quhen Gjiri i Amerikës. Nuk e di pse mediat refuzojnë ta quajnë kështu, por ky është realiteti.”

Presidenti Donald Trump ka nënshkruar një urdhër për ndryshimin e emrit të këtij rajoni detar, por ai është njohur si Gjiri i Meksikës që nga vitet 1600 dhe vazhdon të quhet ashtu në të gjithë botën. AP vazhdon të përdorë emrin historik, por shënon gjithashtu faktin se Trump ka bërë një ndryshim zyrtar të emrit.

Kryeredaktorja e AP-së, Julie Pace, reagoi duke e cilësuar këtë lëvizje të administratës si “shqetësuese” dhe një ndëshkim për gazetarinë e pavarur. Ajo shtoi se veprimi i Shtëpisë së Bardhë bie ndesh me Amendamentin e Parë të Kushtetutës Amerikane, i cili garanton lirinë e shprehjes.

By