Një ditë pas inaugurimit të Presidentit të ri të SHBA-ve, Donald Trump, faqja e internetit në gjuhën spanjolle e Shtëpisë së Bardhë është fshirë. Duket se kjo është një lëvizje e Trump e cila lidhet me çështjen e emigrantëve të paligjshëm që derdhen në SHBA nga Meksika.

Sipas një postimi në rrjetin social X, thuhet se faqja spanjolle e Shtëpisë së Bardhë shfaqet me një shenjë “Error 404” dhe treguesin më poshtë për t’u kthyer në faqen kryesore Go Home, e cila interpretohet në mënyra të ndryshme në lidhje me zotimet e Trump për imigracionin e paligjshëm nga Amerika Latine dhe dëbimin e emigrantëve të paligjshëm.

Presidentja meksikane Claudia Sheinbaum një ditë më parë deklaroi se do të mbrojë sovranitetin dhe pavarësinë e vendit të saj, por do të kërkojë gjithashtu dialog me presidentin amerikan Donald Trump, një ditë pasi nisi mandatin e tij të ri me një mori dekretesh, përfshirë masat për kufizimin e emigracionit.

Sakaq, Shtëpia e Bardhë ende nuk është deklaruar nëse faqja në gjuhë spanjolle është hequr përkohësisht për shkak të rifreskimit të sajtit, apo administrata e re e Donald Trumpit ka vendosur ta heqë përgjithmonë.

By