Shteti që harron heronjtë – Marigo Posio e braktisur në një varr të heshtur në Zvernec të Vlorës

Naser Ibërdemaj, historian

Vizitova Manastirin e Zvernecit, një vend i lashtë, i ngarkuar me histori, arkitekturë dhe shpirt. U ndala tek afresket, tek muret e gurta, në heshtjen e një bukurie të rrallë. Por ajo që zbulova krejt rastësisht, më tronditi dhe më hapi një plagë të thellë: në një qoshe të këtij vendi, pa asnjë shenjë, pa asnjë tabelë informuese në Manastir, pushon Marigo Posio, gruaja e guximshme që qëndisi flamurin e Pavarësisë së gjysmë Shqipërisë; flamurin e shqiptarëve.

Ishte vetëm një varr i thjeshtë, ku për pak sa nuk kalova pa e parë. U afrova nga kurioziteti, thjesht sepse pashë një gur varri dhe… mbeta pa fjalë: MARIGO POSIO – 1882–1932.

Kjo është më shumë se injorancë. Është fyerje.

Po, ajo Marigoja, që me duart e saj qëndisi simbolin më të shenjtë të identitetit tonë kombëtar, shqiponjën kuq e zi. Flamuri histori që u ngrit më 28 nëntor 1912 në Vlorë nga Ismail Qemali.

Dhe sot? Asnjë tabelë në hyrje të manastirit. Asnjë informacion për vizitorët. Asnjë fjalë. Asnjë nderim. Vetëm një varr i thjeshtë, i heshtur, që rri aty si një kujtim i braktisur.

A kemi shtet more?

Ku është Ministria e Kulturës? Ku është Akademia e Shkencave? Historianët? Mediat? Si është e mundur që një vend me rëndësi kombëtare kaq të thellë të mos ketë një shenjë që tregon se aty prehet një heroinë e vërtetë?

Në çdo vend normal, një figurë e tillë do të kishte muzeun e saj, pllakat përkujtimore, guida turistike, histori në librat e shkollës, dokumentarë, ekspozita. Në Shqipëri, ajo prehet në heshtje, ndërsa vendi zhurmon për personazhe amorale të “Big Brother”-it dhe skandale banale.

Turp. Dhe dhimbje.

Patriotizmi nuk është me fjalime në 28 nëntor. Është në nderimin e përditshëm ndaj atyre që bënë gjithçka për këtë komb. Dhe nëse nuk nderojmë Marigon sot, atëherë kemi dështuar jo vetëm si shtet, por si komb.

Kërkojmë drejtësi për kujtesën. Kërkojmë dinjitet për Marigon. Kërkojmë që në hyrje të Manastirit të Zvernecit të vendoset një tabelë përkujtimore. Një memorial. Një informacion i thjeshtë, por i domosdoshëm.

Mos e lëmë historinë të prehet në heshtje. Nderojeni. Tregojeni. Mësojeni.

By