Shtrembërimi i të vërtetës për poena politik
Mimoza Kusari
Në një intervistë me rrjetin CNN, Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis në pyetjen: a e ka gjetur Greqia zgjidhjen më të mirë për t’u përballur me pandeminë globale, u përgjigj: Nuk mund të them se ka dikund një zgjidhje ideale, por besoj se ka disa forma të mira me të cilat minimizohen efektet e pandemisë.
Në pandeminë shëndetësore dhe politike në Kosovë, vështirë se diçka pozitive po merr ritëm dhe jetë pa rënë pre e politizimit dhe gjykimit e paragjykimit të mëtejmë nga opozita aktuale.
Debati i politizuar i dy ditëve të fundit për uljen e informalitetit ekonomik përmes regjistrimit të mbi 10,000 punëtorëve nga sektori jo formal në sektorin formal, jo vetëm që po mundohet të mbajë negativitetin aktual për çfarëdo suksesi të Qeverisë në dorëheqje, por fatkeqësisht po humb energji në luftë të mëtutjeshme politike, pa ofruar një alternativë për rimëkëmbjen ekonomike.
Askund në botë, përfshirë edhe vendet më të zhvilluara, nuk e kanë pasur një udhërrëfyes se si duhet të menaxhohet kriza specifike e shkaktuar nga virusi Covid19. Mekanizmat dhe institucionet shtëtërorë dhe shëndetësorë kishin probleme serioze në fillim të kuptojnë shkallën e përhapjes dhe ndikimit që virusi mund dhe do ta ketë në vendet e tyre.
SHBA-ja dhe Britania sot si dy vende të zhvilluara, ende janë në përpëlitje dhe të ndara në shoqëritë e tyre rreth mënyrës se si duhet të bëhet hapja e shtetit dhe rikthimi i ekonomisë.
Kosova me krejt specifikat e saj, vendi më i izoluar në Evropë, me ekonominë ndër më të pazhvilluarat, me ekonominë joformale me 35% informalitet të konfirmuar, çuditërisht për të gjithë brenda dhe jashtë, e menaxhoi më mirë se sa pritej krizën nga pandemia. Duke mos dashur të krijoj ekzaltim apo perceptim se ka kaluar kriza, mënyra se si reaguan institucionet e vendit në sektorin shëndetësor dhe atë ekonomik ishte për t’u përkrahur dhe ndihmuar. Në të kundërten, Kosova u ballafaqua me një krizë politike të paparë ndonjëherë në rrethana normale, e aq më pak në kohë pandemie.
Debati për uljen e ekonomisë joformale dhe shtrëmbërimi i qëllimshëm se kinse Ministri në detyrë i Financave deklaroi se Qeveria e rriti punësimin, nuk i bën nder as komentuesve dhe as atyre që e vazhdojnë tutje ciklin e diskutimit shterpë. Sukses i Qeverisë është se me mekanizëm stimulues të pakos emergjente, arriti efektin e zbardhjes së ekonomisë gri dhe përcolli një argument të fortë se nuk bën të lëshohet kjo rrugë, por duhet të vazhdohet me incentiva dhe forma tjera të inkurajimit të bizneseve për ligjshmëri të kontratave të punës. Natyrisht, kjo duhet të përcjellet edhe me mekanizmin e kontrollit përmës inspektoriatit të punës dhe strategjisë së re për tërheqje të investimeve.
Koha është për një debat të mirëfilltë për të ardhmen ekonomike, në veçanti tani kur bazat e shtetit të mirëfilltë të së drejtës po shihen dhe kemi argumente se ndyshimi është i mundur. Ky ndryshim, nuk mund të ndodhë nëse vazhdohet me metodat e njejta sikur para 6 Tetorit. Në Kosovë do të mungojnë investimet e huaja, paraja publike do të vazhdojë të keqpërdoret, ndërsa shpresa e të rinjëve do të tretet bashkë me vullnetin për ndryshim në vend.
Ata të cilët mendojnë se mund të kontribuojnë në debatin e ngritjes ekonomike të vendit, para se të kritikojnë Qeverinë në detyrë e cila gjendet në presion të dyfishtë, mund të tregojnë një të vetmen metodë, si e mendojnë vazhdimin e uljes së informalitetit dhe rimëkëmbjen ekonomike shumë të domosdoshme.
Kosova ka përparësinë e ekonomisë së vogël, por me mundësi të reformës shumë më të shpejtë se vendet me popullësi më të madhe dhe më të vjetër, por kriter kryesor për këtë rimëkëmbje është shteti ligjor dhe kthimi i besimit tek investitorët të cilët ikën nga korrupsioni dhe mungesa e sigurisë në shtet.
Kushdo që mendon se kthimi në sistemin e vjetër mund të sjellë rezultate të reja, gabohet aq sa janë gabuar të lexojnë uljen e informalitetit si ngritje të punësimit në kohë pandemie.