Kur blen një libër, ti vendos një të drejtë pronësore mbi të, ashtu siç bën me rrobat ose mobiljet kur i blen dhe paguan për to. Por akti i blerjes është në të vërtetë vetëm fillimi i pronësimit në rastin e një libri.

Pronësia e plotë e një libri vjen vetëm kur e ke bërë atë pjesë të vetvetes, dhe mënyra më e mirë për ta bërë veten një pjesë të tij – është duke shkruar në të.

Pse shënimi i një libri është i domosdoshëm për ta lexuar atë? Së pari, të mban zgjuar – jo thjesht të vetëdijshëm, por të përfshirë. Së dyti, të lexuarit, nëse është aktiv, është si të menduarit, dhe të menduarit ka tendencë të shprehet me fjalë, të folura ose të shkruara.

Personi që thotë se e di atë që mendon por nuk mund ta shprehë atë, zakonisht ai nuk e di se çfarë mendon. Së treti, duke shkruar reagimet tuaja poshtë ju ndihmon të mbani mend mendimet e autorit.

E ke përjetuar ndonjëherë atë trysninë e leximit të teksteve të dhëna detyrë në shkollë? Ka të ngjarë që po. Mund të na pëlqejë shumë të lexojmë për kënaqësi, por kur është fjala për të punuar në libra dhe artikuj që nuk na interesojnë, ne duhet të përpiqemi shumë për t’u përqëndruar.

Nuk ka pse të jetë kështu. Në përfundim të këtyre rreshtave, do të të zgjohet shumëfish dëshira për të lexuar edhe librat më pak tërheqës, shpejt dhe me efikasitet. Një botim i bujshëm i vitit 1940 me titull, “Si Lexohet Një Libër’” (angl. How to read a book) do të zbulojë sekretet e zanatit që fshihen prapa Artit të Leximit, pavarësisht nëse duhet ta mbarosh shpejt atë romanin për orën e letërsisë, ose duhet të mësosh rreth një teksti të ri marketingut që të duhet në punë.

Në këto radhë, do të zbulosh:

pse nuk mund të jesh lexues pasiv;
pse Pasqyra e Përmbajtjes është miku yt më i mirë; dhe;
pse edhe njerëzit më të zgjuar mund të kenë nevojë për të mbajtur një fjalor.
Për të thithur më shumë nga librat, duhet të lexoni në mënyrë aktive dhe të mësoni disa rregulla themelore të leximit

A e shfrytëzon çdo hapësirë kohore që të jepet për t’u zhytur në një roman të mirë? Kur lexojmë me synimin e qartë për ta shijuar atë, nuk ka nevojë të ndryshojmë qasjen tonë ndaj librit. Megjithatë, ka raste kur nuk lexojmë vetëm për argëtimin tonë dhe duhet të kuptojmë dhe filtrojmë shpejt informacionin nga një tekst. Para se të shikojmë disa këshilla dhe truke se si ta bëjmë këtë më së miri, le të shohim së pari se çfarë do të thotë të jesh lexues i efektshëm.

Së pari, bazat.

Gjëja e parë që duhet të dish është se leximi është një detyrë aktive, jo pasive. Mund ta shohësh atë si një lojë me top, ku njëra palë hedh topin dhe pala tjetër duhet të bëjë një përpjekje për ta kapur atë. Kjo do të thotë, “pritësi” – ose lexuesi – duhet të bëjë një përpjekje në mënyrë që të kuptojë se çfarë autori, i cili hedh topin, po përpiqet të përçojë.

Kjo do të thotë që ti nuk mund të jesh dembel dhe të presësh që të gjitha informacionet përkatëse të rrjedhin menjëherë tek ty. Marrja e asaj që dëshironi nga një libër kërkon mprehtësi dhe, ashtu si me çdo aktivitet tjetër, nëse doni të bëheni një lexues mjaft i aftë, duhet të mësoni dhe praktikoni aftësitë e kërkuara.

Në shembullin e lojës së topit, ti bëhesh një pritës i aftë nëse i di rregullat e lojës dhe nëse përkushtohesh të praktikosh.

Atëherë pra, çfarë duhet të bësh për t’u bërë një lexues i mirë?

Kryesorja është të mjeshtrosh nivelet e ndryshme të të lexuarit, nga më sipërfaqësori tek më gjithëpërfshirësi e analitiku. Rreshtat e mëposhtëm do të ofrojnë disa udhëzime se si ta arrish këtë.

Leximi elementar: para se të analizosh një libër, duhet ta kuptosh atë në nivelin bazë të gramatikës dhe fjalorit.
Mos i harro ditët e para të shkollës, kur të është dashur të lexoshi fjali në dukje të pakuptimta, siç është: “Zogu u ul në degë”? Si pa e kuptuar, ti po hidhje hapat e parë drejt zotërimit të leximit elementar.

Leximi elementar është faza në të cilën lexuesi mund të deshifrojë dhe kuptojë fjalët dhe fjalitë në një tekst. Këtu, lexuesi i shtron vetes pyetjen “çfarë thotë fjalia?”.

Për shembull, kur fëmijët mësojnë së pari të lexojnë, ata lexojnë dhe kuptojnë tekstin duke asociuar simbolet e shkruara me tingujt në mënyrë që të formojnë fjalë dhe fjali. Kur ata mund ta bëjnë këtë, ata mund të kuptojnë përmbajtjen themelore të atyre fjalive.

Me fjalë të tjera, ata kuptojnë se shkronjat “z”, “o” dhe “g” “u” tingëllojnë si ato në fjalën zogu”, e që kjo fjalë është lidhur me të tjerat për të formuar fjalinë “Zogu u ul në degë”, Dhe së fundi, kjo fjali ka të bëjë me imazhin e një zogu në degë.

Deri tani nuk të kemi thënën asgjë të re, apo jo, por prit mos e humb durimin. Çelësi për të kuptuar mirë të gjitha tekstet varet nga zotërimi i kësaj aftësie fillestare. Nëse nuk kupton se çfarë po komunikojnë fjalët dhe fjalitë, nuk do të arrish të tejkalosh sipërfaqen e përmbajtjes së një libri, madje as të nxirrni kuptimin e tij themelor.

Për shembull, imagjinoni të lexosh një libër për macet pa e njohur fjalën “mace”. Thjesht nuk do të kishte kuptim.

Kështu që, herën tjetër që të duhet të analizosh një tekst, sigurohu që t’i kuptosh të gjitha konceptet themelore që nga fillimi.

Leximi inspektues: përpara se të analizoni një libër, së pari duhet ta lexoni atë për të parë nëse është i denjë për një inspektim më të imët.
A ke çuar ndonjëherë libër në shtëpi, vetëm për të kuptuar se nuk është aspak ashtu siç mendoje se do të ishte? Epo, kjo nuk do të kishte ndodhur nëse do të kishit bërë një lexim inspektues më parë!

Leximi inspektues është një teknikë që ju lejon t’i përgjigjeni pyetjeve “Për çfarë flet ky libër?” dhe “Çfarë lloj libri është ky?”. Kjo ju lejon të thithni bazat e një libri në një kohë të kufizuar.

Por pse duhet ta marrësh mundimin të inspektosh librin? Epo, derisa ta kesh lexuar një libër në detaje, nuk mund ta dish nëse do të jetë dobiprurës. Leximi inspektues ju lejon të vendosni nëse doni të shpenzoni më shumë kohë në atë libër para se të vazhdoni ta huazoni ose blini atë.

Për të filluar inspektimin e librit, së pari duhet të kaloni në pjesë të veçanta të tij. Në thelb, kjo do të thotë lexim i tij sipërfaqësor. Për të lexuar në mënyrë sistematike, shikoni së pari faqen e titullit, tabelën e përmbajtjes dhe pastaj hyrjen. Nga këtu, kaloni tek kapitujt dhe paragrafët e veçantë që mund të jenë me rëndësi për ty.

Kalimi nëpër këto hapa e bën shumë më të lehtë të konstatoni nëse libri është ai që keni dashur apo jo. Nëse jo, atëherë mund të ndjeheni të lirë ta lini mënjanë.

Nëse ke vendosur se libri është për ty, mund të vazhdosh ta lexosh të gjithë librin – por vetëm sipërfaqësisht. Në këtë lexim të parë, shpërfilli detajet më të hollësishme dhe gjërat që nuk i kupton. Në këtë mënyrë, ti nuk do ta prishësh kënaqësinë e leximit duke kërkuar fjalë në fjalor dhe duke u trazuar nëpër secilin shënim. Shumë nxënës të shkollave të mesme, për shembull, janë larguar nga leximi i Shekspirit, sepse ata janë të detyruar të kontrollojnë të gjitha shënimet dhe të kërkojnë çdo fjalë që nuk e kuptojnë ndërsa vazhdojnë që në leximin e parë.

Njohja para së gjithash për çfarë flet teksti në tërësi do t’ju ndihmojë të kuptoni pjesët më të ndërlikuara kur ta lexosh për herë të dytë.

Leximi analitik: Kur filloni të analizosh një libër, së pari duhet të identifikosh temën e tij kryesore dhe qëllimin e autorit.
Pasi të jesh njohur me tërësinë e një libri, fillo të lexosh në mënyrë analitike. Leximi analitik është më shumë si përtypja dhe tretja e përmbajtjes së një libri.

Hapi i parë në këtë proces është të zbulosh se çfarë lloj libri po lexon dhe si lidhen temat e tij me njëra-tjetrën. Meqenëse mënyra e zhvillimit të temave varet nga stili i autorit, është e rëndësishme të klasifikoni librin.

Nëse tashmë e di që libri është teorik, e di që argumentimi këtu do të ketë tendencë të jetë mjaft abstrakt në krahasim me një libër udhëzues. Një libër mbi matematikën, për shembull, nuk do të përmbajë këshilla për jetën. Mbajtja në mendje e qëllimit kryesor të librit do të të ndihmojë më vonë kur të jesh duke u përballur në pjesët e tij më komplekse.

Mënyra më e shpejtë për të klasifikuar një libër është të shikosh në vetitë e tij sipërfaqësore, siç është gjuha që ai përdor ose thjesht titulli i tij. Për shembull, një libër praktik ka të ngjarë të përmbajë foljet “duhet” ose “mund”.

Në mënyrë të ngjashme, nëse sheh një libër me titullin “Rënia e Perandorisë Romake”, do të dish menjëherë se është një libër historie.

Pasi ta kesh klasifikuar librin, është koha të përqendrohesh te vetë teksti. Në këtë pikë, duhet të identifikosh përmbajtjen dhe të vëreni se si tema të ndryshme lidhen me tërësinë. Kjo nënkupton përmbledhjen e tij dhe identifikimin e temave të ndryshme ose nëntemave të tekstit me vetëm disa fjali të shkurtra.

Për shembull, përbledhja e ngjarjeve te Odisea do të ishte përmblidhej si “Kthimi sfilitës i një heroi grek në atdheun e tij”, dhe struktura e tij do të rendiste ngjarjet kryesore të tregimit, të tilla si “1. Odisea largohet nga ishulli Kalypso, 2. Djali i tij vendos për ta gjetur,” dhe kështu me radhë.

Ky lloj i analizës së librit është si të marrësh një rreze X: duhet të zbulosh natyrën e tij duke parë “eshtrat” e tij​​ – skeletin ose strukturën. Dhe atëherë mund të shikoni “mishin” e tij – ngjarjet.

Kuptoje autorin.
Një autor është në të vërtetë shitës i ideve, dhe për të gjykuar nëse ata po na ofrojnë materiale cilësore, duhet të kuptojmë fjalorin e tyre themelor dhe arsyetimin e tyre. Mënyra më e mirë për ta bërë këtë është përmes nënvizimit të koncepteve ose fjalëve kyçe.

Për ta bërë këtë, duhet së pari të identifikosh fjalët kyçe dhe të mësosh kuptimin e tyre. Vëzhgimi i fjalëve kyçe është veçanërisht i lehtë në librat shkollorë, pasi ato shpesh shënohen grafikisht me një nënvizim ose me shkrim të pjerrët ose të trashur. Autori gjithashtu ka të ngjarë t’i përcaktojë ato në fillim të tekstit.

Për të kuptuar fjalët kyçe, duhet të shikoni fjalët rrethuese. Këto, së bashku me kontekstin, do të të ndihmojnë të qartësohesh mbi rëndësinë e tyre.

Kur të kesh mbaruar me fjalët kyçe, mund të fillosh të identifikosh mesazhin e autorit, që do të thotë të gjesh pohimet në tekst dhe si strukturohen në argumente. Ti mund ta dallosh një pohim (apo premisë) si një përgjigje ndaj një pyetjeje, ose si një opinion apo bindje e thellë e tij, pra premisa i ngjan themelit mbi të cilin do të vendoset gjithë struktura. Këto do të gjenden në fjalitë kryesore të tekstit dhe do të përmbajnë terma të dallueshëm. Premisat përcjellin mesazhet kryesore që lejojnë zhvillimin e argumentit.

Megjithatë, nuk ka rregulla të shpejta për të identifikuar pohimet. Në fund të fundit, i takon lexuesit të kuptojë strukturën e argumentit dhe të identifikojë pikat kryesore. Për të kontrolluar nëse e ke kuptuar se çfarë autori po përpiqet të thotë, duhet të jesh në gjendje t’i rifrazosh këto fjali kryesore me fjalët tuaja.

Kur arrin ta bësh këtë, hapi tjetër është të zbulosh se si janë të lidhura me njëra-tjetrën dhe të organizuara. Për shembull, a rrjedh logjikisht propozimi i dytë nga i pari? A e paraqiti autori fillimisht argumentin kryesor dhe më pas jep shembuj, ose anasjelltas?
Ndjekja e këtyre hapave do të ndihmojë të sqarosh se çfarë po thuhet dhe si thuhet.

Kur analizon një libër, duhet të vlerësosh domethënien dhe logjikën e tij.
Pasi të keni kuptuar idetë që autori ka parashtruar, ti mund të gjykosh cilësinë e përmbajtjes. Ky është hapi i fundit i vlerësimit në analizën e librave.

Vlerësimi i rëndësisë së një libri do të thotë t’i bësh vetes pyetjet “A është e vërtetë?” ose “Rëndësia e saj?”

Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, duhet të hidhësh një vështrim kritik në tekst duke përdorur një teknikë që përfshin kritikën e librit në një mënyrë të ekuilibruar, të drejtë.

Për shembull, nuk jeni në gjendje të kritikoni nëse nuk e keni kuptuar atë që ka thënë autori, ose nëse bëhesh tepër emocional për argumentin! Nëse konstaton se argumenti është interesant, padyshim që është e pranueshme të pajtoheni me autorin – nuk është e thënë që duhet të mospajtoheni vetëm me principet.

Sidoqoftë, nëse keni baza të forta për të mos u pajtuar, është në rregull. Një nga këto kritika mund të jetë që autori është i painformuar ose i keqinformuar. Merrni shembull Darvinin mbi origjinën e llojeve. Këtu, do të ishte e drejtë të kritikohet injoranca e shkrimtarit për gjenetikën dhe mekanizmat e trashëgimisë, të cilat u zbuluan pasi ai shkroi librin.

Një kritikë tjetër mund të jetë që argumentimi është jo-logjik. Për shembull, nëse një autor thotë një gjë në një pikë të librit, dhe pastaj e kundërshton këtë deklaratë më vonë. Kjo mund të gjendet në Elementet e Ligjit të traktit filozofik të famshëm të Thomas Hobbes, i cili thotë që në fillim se trupat e materies nuk kanë cilësi të tilla si erë, shije, ngjyrë etj. Sidoqoftë, më vonë, në tekst, Hobbes shkruan se njerëzit kanë cilësi dhe janë organe të materies. Kjo është një kontradiktë e qartë e argumentit fillestar të autorit.

Boshllëqet e tjera mund të gjenden në argumente jo të plota ose në dështimin për të adresuar problemet që u përshkruan në fillim të tekstit.

Leximi sintopik: ju mund të aplikoni ekspertizën e leximit në disa libra me të njëjtën temë në të njëjtën kohë
Kur duhet të shkruash një ese për një orë mësimi, nuk do ta bazosh atë mbi një libër, por përkundrazi, do të zgjedhësh nga disa burime të ndryshme. Kjo është arsyeja për të cilën teknika e nivelit të lartë – leximi sintetik – qëndron mbi të gjitha.

Leximi sintopik/sintetik përfshin leximin e dy ose më shumë librave me të njëjtën temë gjatë të njëjtës periudhë kohore. Kur të lexosh në këtë mënyrë duhet të jesh në gjendje të identifikosh qartazi temën për të cilën dëshiron të shkruash dhe të zgjidhësh pasazhet përkatëse.

Pra, cila është mënyra më e mirë për ta bërë këtë? Epo, leximi sintetik arrihet përmes përdorimit të leximit inspektiv dhe analitik. Kjo do të thotë të identifikoni librat e duhur për esenë tënde duke shikuar titujt, kopertinat dhe indekset e librave të ndryshëm.

Pasi të kesh inspektuar tekstin, është koha të bësh disa analiza. Për një ese, do të duhet të kuptosh se çfarë thonë autorë të ndryshëm për një temë specifike, tamam si prozhektorët që ndriçojnë mesin e skenës nga kënde të ndryshme.

Dallimi kryesor midis leximit sintetik dhe përdorimit të teknikave individuale inspektuese dhe analitike të leximit në vetvete është se me leximin sintetik tema juaj është ajo që po hetohet, më tepër se sa tema e ndonjë libri individual. Mos harro, ti po përpiqesh t’i përgjigjesh një pyetjeje dhe të formosh një mendim për një temë mbi të cilën mund të ketë këndvështrime të ndryshme, nga autorë të ndryshëm.

Këshillat e dhëna deri më tani përbëhen nga udhëzime efektive për t’u njohur me një tekst të ri. Por secili zhanër, apo edhe secili libër, është një botë e ndryshme në vetvete. Për shkak të kësaj, është një ide e keqe të ndiqni rregullat në mënyrë të verbër. Më mirë duhet të zbatoni rregullat duke përdorur gjykimin e mirë.

Mbani në mend se çdo zhanër përmban brenda tij struktura dhe motivime të ndryshme. Për shembull, pyetja “Po pastaj?” nuk do të zbatohet në të njëjtën mënyrë për një roman siç do të zbatohej për një tekst mbi etikën. Në fakt, për një roman, ajo që ka rëndësi është përvoja jote e leximit të librit dhe përshtypja që të la – nuk ka gjithmonë një moral universal për çdo lexues.

Lloji i strukturës që dëshiron të kërkosh në secilin zhanër gjithashtu do të ndryshojë. Në tekstet e filozofisë, për shembull, mund të parashikoni një sekuencë të qartë të pohimeve dhe arsyetimeve. Përkundrazi, në tekstet e historisë, mund të prisni një analizë të fakteve historike.

Përveç përshtatjes së rregullave të ndryshme në zhanre të ndryshme, ndonjëherë leximi i librit nuk është i mjaftueshëm për ta kuptuar atë. Në këtë rast, do të duhet të përdorësh përvojën tënde dhe librat e tjerë për të të ndihmuar.

Mund të ndihmojë, për shembull, t’i kushtosh vëmendje rendit në të cilin janë shkruar librat e një autori, pasi ato mund të zhvillojnë ide të hershme në veprat pasuese. Kjo do të thotë që ju do të kuptoni mjaftueshëm librin që po lexoni nëse e dini prejardhjen e tij nga tekste të tjera. Merrni Kushtetutën Amerikane. Bazohet në idetë e iluminizmit që u zhvilluan në shekullin XVIII. Pra, për të vlerësuar plotësisht nocione të tilla si ndjekja e lumturisë, është e nevojshme të njihesh me veprat e filozofëve si Montesquieu dhe Ruso.

Mesazhi kryesor:

Çelësi për të përvetësuar dhe kuptuar tekstet – veçanërisht ato që kërkohen për qëllime studimi – është të aplikoni disa teknika të drejtpërdrejta, të thjeshta që përfshijnë më tepër leximin aktiv, sesa leximin pasiv.

Këshillë për t’u zbatur që nga ky moment:

Shtroni më shumë pyetje.

Në vend që t’i marrësh idetë e autorit si të mirëqena, vendos një pikëpyetje mbi ato. A ka hëndeqe në argumentet e tyre? A rrjedhin idetë e tyre në mënyrë logjike? Duke qenë një lexues më aktiv do t’ju tërheqë më shumë nga çdo tekst i dhënë, dhe do t’ju bëjë të analizoni dhe vlerësoni punën me inteligjencë.

“Leximi i një libri duhet të jetë si një bisedë midis teje dhe autorit. Me sa duket ai di më shumë rreth temës sesa ti; nëse jo, ndoshta nuk duhet të shqetësohesh me librin e tij. Por të kuptuarit është një operacion i dyanshëm; nxënësi duhet të pyesë veten dhe të pyesë mësuesin, pasi të ketë kuptuar se çfarë po thotë mësuesi. Shënjimet dhe nënvizimet e një libri janë fjalë për fjalë një shprehje e dallimeve ose marrëveshjeve tuaja me autorin. Është respekti më i lartë që mund t’i jepni atij.”