Arbër Zaimi

Stadiumi i ri i kombëtares shqiptare do të mbajë emrin e një kompanie private së cilës nuk i dihet kombësia e identiteti i aksionerëve. Dmth. tifozët e kombëtares ku janë e ku s’janë do detyrohen t’i bëjnë reklamë kësaj kompanie sa herë që luan kombëtarja.

Disa nga eksponentët e qeverisë së Shqipërisë më parë kanë shprehur kundërshtime për këtë praktikë të emërtimit të një hapësire publike me rëndësi. A do të kenë edhe tani kundërshtime, duke njohur afërsinë e kompanisë në fjalë me qeverinë? Nëse ato kundërshtime nuk u pinë ujë, ç’do bëjnë?

Nëse u shitka çdo emërtim hapësire, vendi e institucioni për reklamë, pse të mos e shesim edhe emrin e kryeministrisë? Psh. ta quajmë “Kryeministria Vodamon”? Të shesim edhe emrin e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ta quajmë Bulevardi “Gjeneriks”. Sheshin “Skënderbej” ta quajmë “Skyla Sela”, në këmbim të pagesës. Ose ta japim me konkurs për reklamë vetë emrin e kryeqytetit, ta quajmë fjala vjen kryeqendra administrative shqiptare “Frokredit”. Apo pse jo emrin e kryeministrit, ta shesim për reklamë. Të quhej psh. shkëlqesia e tij Coca Nola Zero, km. i Shqipërisë.

Kushedi sa shkolla, spitale, teatro e stadiume do bëheshin po t’i shisnim për reklama gjithë këta emra.