Një shumicë e ngushtë e votuesve gjermanë mbështet vendimin e liderit të CDU-së, Friedrich Merz, për të kërkuar mbështetje nga partia e djathtë ekstreme AfD për reformat e imigracionit.

52 për qind mbështesin veprimin e Merz-it, ndërsa 38 për qind janë kundër, sipas një sondazhi të kryer nga YouGov për agjencinë e lajmeve DPA.

Ka pasur protesta të mëdha në Gjermani pasi Merz dukej se po thyente praktikën e gjatë të mos bashkëpunimit me të djathtën ekstreme. Megjithatë, propozimi nuk u miratua, pasi disa deputetë nga partitë që fillimisht e mbështetën atë votuan kundër para fundjavës së kaluar.

Sondazhi u zhvillua nga e premtja deri të martën dhe tregon se një shumicë e madhe mbështet masat. 63 për qind e të anketuarve thonë se janë pro dhënies së kompetencave të zgjeruara policisë për të deportuar personat pa dokumente hyrjeje në kufi, përpara se ata të kenë mundësinë të kërkojnë azil. Vetëm 25 për qind janë kundër kësaj mase.

Megjithëse masat janë të njohura, 62 për qind thonë se AfD nuk duhet të përfshihet në asnjë qeveri koalicioni pas zgjedhjeve më 23 shkurt.

AfD, e cila që nga viti 2021 është nën mbikëqyrjen e shërbimit gjerman të inteligjencës BfV për dyshime mbi ekstremizmin e djathtë, aktualisht renditet në vendin e dytë në sondazhe me 20 për qind të mbështetjes.

Merz është favoriti për t’u bërë kancelari i ri dhe ka këmbëngulur që partia kristiandemokrate CDU/CSU nuk do të kërkojë bashkëpunim qeveritar me AfD, edhe pas votimit javën e kaluar. Në sondazh, 49 për qind e të anketuarve thonë se i besojnë atij, ndërsa 32 për qind thonë se nuk i besojnë./Dagsavisen/Perktheu MekuliPress/

By