Mervete Maksutaj, heroina shqiptare e vrarë nga policia/ushtria serbe (10.04.1978- 4.12.1998)
Sot më 4 dhjetor 2023 bëhen plot 24 vjet, kur Mervetja kishte marrë përsipër misionin për lirimin nga duart e armikut bashkëluftëtarët e saj, të cilët, pas plagosjes në betejë me trupat serbe, kohë më parë, ishin kapur nga serbët dhe ishin dërguar në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, ku po mbaheshin nën mbikëqyrje policore.
Atë ditë dimri, Mervetja ngjesh armët, bombë e revole, dhe niset në aksion. Sulmnon rojën policore në hyrjen kryesore të Spitalit të Përgjithshëm të Pejës, me ç’rast arrin të depërtojë te roja tjetër policore në korridorin e katit të dytë ku ndodheshin të shtrirë bashkëluftëtarët e saj. Mervetja sulmon, sakaq, policinë me bombë dore, por pastaj edhe me revole. Aty zhvillohet një dyluftim i vërtetë, ndërkohë që disa prej të plagosurve të arrestuar arrijnë të dalin nga Spitali.
Gjurmët e shpërthimit dhe gjaku i mbetur në korridorin e këtij spitali, të cilat janë parë më vonë nga dëshmitarët, kanë dëshmuar se Mervetja kishte vrarë disa policë serbë, kurse vetë kishte arritur të tërhiqet dhe të dalë nga Spitali duke shpërthyer edhe rrethimin policor të organizuar në korridorin e katit të dytë.
Mirëpo, ndërkohë që ajo kishte mësyrë të tërhiqej në drejtim të Grykës së Rugovës, policia dhe ushtria serbe kishte organizuar pritën tjetër në oborrin e Spitalit. Në tërheqje e sipër, disa dhjetëra metra larg udhëkryqit të Spitalit, Mervetja goditet në ballë nga një plumb i armikut dhe aty bie në fushën e nderit, pa rënë e gjallë në duart e tij.
Në kohën e kryerjes së aksionit të fundit, Mervetja kishte qenë e veshur me rroba civile, meqenëse aksioni gueril ishte brenda qytetit. Mirëpo, për t’u identifikuar si pjesëtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ajo kishte bartur me vete medaljonin identifikues të kësaj ushtrie, i cili i është gjetur në trup pas rënies dhe sot ruhet me kujdes nga motra, Elfetja.
Në medaljon shkruante emri dhe mbiemri i Mervetes, datëlindja dhe tri shkronjat: UÇK.
Mervetja kishte vetëm 20 pranvera kur u vra nga serbët dhe është shëmbëllimi më i mirë i vajzës shqiptare.