Ministria e Brendshme ka reaguar pasi në disa media është publikuar një lajm i rremë rreth draft ligjit të pagave për zyrtarët publik.

MPB-ja e ka quajtur dezinformata dhe qëllimkeqe raportimin se ky draft-ligj është gati dhe pritet që shumë shpejt të hy në fuqi.

“Ministria e Punëve të Brendshme dëshiron të informojë qytetarët se vala e pseudolajmeve që po përhapen me shpejtësi në mediat tona rreth ligjit për pagat e zyrtarëve publik është e pavërtetë dhe qëllimkeqe”, thuhet në reagimin e MPB-së.

Më tej në reagim thuhet se në ligjin për paga nuk do të jetë pjesë vlera e koficientit.

“As nuk ka draft final të ligjit për pagat e zyrtarëve publik e as nuk ka ndonjë vlerë të koeficientit. Vlera e koeficientit nuk do të jetë pjesë e ligjit për pagat e zyrtarëve publik, meqë e njëjta përcaktohet me ligjin e buxhetit”, thuhet në reagim

Sipas MPB-së kjo është një valë dezinformatash e cila ka për qëllim krijimin e konfuzionit dhe krijimin artificial të pritjeve me idenë se këto pritje pastaj shumë lehtë mund të keqpërdoren për nxitje të pakënaqësive dhe ngritje të debateve të kota krahasuese.

“Ju bëjmë me dije që ministria jonë do të ndajë draftin final me publikun në momentin kur i njëjti të finalizohet”, thuhet në fund të reagimit.