Botës i është shtuar në menunë e konflikteve të nxehta edhe ai më tradicionali për kohën tonë: izraelito-palestinez. Media të shumta raportojnë se të shtunën militantë të grupimit islamik palestinez, Hamas kaluan përmes Rripit të Gazës në territorin izraelit dhe nisën bombardimin me mijëra raketa. Të dhënat për viktima ndryshojnë shumë shpejt, por deri më tani flitet për të paktën 100 të vdekur nga pala izraelite dhe qindra të plagosur.

Forcat ajrore izraelite janë kundërpërgjigjur me goditje në Rripin e Gazës, një territor që kontrollohet nga Hamas dhe pretendon se ka vrarë rreth 200 persona Presidenti Netanyahu ka deklaruar se “Jemi në luftë”, kurse ministri i Jashtëm izraelit, është shprehur se “Hamas do ta paguajë shtrenjtë sulmin”.

Episodi i tanishëm po provon megjithatë një element të ri: nivelin krejt tjetër logjistik dhe operacional të Hamasit që përfaqëson kështu forcën kryesore palestineze. Aq sa edhe presidenti Mahmoud Abas ka deklarur në një takim emergjent në Rramallah se “palestinezët kanë të drejtë të mbrohen nga terrori i kolonëve dhe Izraelit”. Abas i përket krahut nacionalist palestinez që ka ardhur në tkurrje që nga viti 2000, kur me Intifadën e Dytë doli në skenë me forcë të re grupimi islamik, Hamas.

Pamje të ndryshme që qarkullojnë në media tregojnë kapjen e mjeteve ushtarake izraelite, përballje dhe konfrontime në Sderot, një qytet në kufi me Rripin e Gazës dhe raportohet se militantët palestinezë kanë qëlluar edhe mbi civilë. Dita e sulmit është zgjedhur Sabathi, ditë pushimi për izraelitët, çka tregon për një plan të mirëmenduar, i koduar me emrin “Përmbytja Al Aqsa”, sipas emrit të xhamisë në Jeruzalem. Në mbështetje të Izraelit ka dalë thuajse e gjithë bota perëndimore dhe Shtëpia e Bardhë ka premtuar “çdo ndihmë të mundshme”.

Po monitoroj nga afër zhvillimet në Izrael. Angazhimi ynë ndaj të drejtës së Izraelit për t’u mbrojtur mbetet i palëkundur dhe i përcjell ngushëllimet e mia familjeve të atyre që humbën jetën në këtë sulm të urryer ndaj civilëve

është shprehur sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin.

Ajo që ka krijuar më shumë pështjellim megjithatë është befasia e sulmit masiv nga Hamasi që ka kapur të papërgatitur Izraelin. Në një shënim të korrespondentit të BBC-së në Izrael, Frank Gardner vihet në dukje pikërisht ky element, që vjen disi i pashpjegueshëm nëse merr parasysh se shërbimet izraelite presupozohet se kanë informacion të hollësishëm mbi lëvizjet e militantëve palestinezë.

Me përpjekjet e kombinuara të Shin Betit, shërbimi i kundërzbulitmit, Mossadit, shërbimit të zbulimit dhe të gjitha aseteve të Forcave Izraelite të Mbrojtjes, është me të vërtetë mahnitëse sesi askush nuk e pa që kjo do ndodhte,
shkruan Gardner.

Po kështu Izraeli ka kamera në të gjithë kufirin e telëzuar me Rripin e Gazës, ka sensorë të ndjeshëm ndaj lëvizjes në tokë dhe patrulla. Megjithatë grupimi ka publikuar video që tregojnë se trupat e tij kanë përdorur parashutimin si mjet penetrimi të fshehtë.