Lajmi serviret kështu: Ndryshime në qeveri. Pastaj emrat. Në fakt e vërteta është më e thjeshtë: Kryeministri bëri ca manovra me tre emra për të hequr në fakt një të vetëm. Dhe e gjitha kjo për një sitiatë të nxehtë që lidh akuza korrupsioni me një ndër aferat më ndotëse të tranzicionit. Ka shumë diskutime për atë që ndodhi: u fuqia Belinda Balluku, u rrëzua Ahmetaj e kështu me radhë. Në fakt e gjithë kjo plojë korridoresh është prova e vetme sesi ky pushtet ka degraduar nga menaxhim dhe qeverisje në administrim koninukturash korrupsioni.

Zoti Rama ka marrë afër vetes një ministre si Balluku duke provuar se do mbajë në mbikëqyrje dikë që mendon se është fuqizuar shumë. Dhe zonja në fjalë ndoshta ushqen bindjen se u rrit pavarësisht se u afrua më shumë drejt vrimës së zezë.

Një korrupsion kaq i madh është i tillë jo thjesht për shkak të konsumit të akteve të ndalshme korruptive, por sepse ai është bërë standardi si perceptohet qeveria e këtij vendi. E cila pse është reduktuar në një element të tillë, në fakt është depolitizuar. Ajo ka institucionet, firmat, por nuk përfaqëson më asnjë shpresë, asnjë të ardhme: ajo nuk interpreton më asgjë që ka të bëjë me zhvillimin.

Në këto rrethana nuk ka nevojë edhe aq për postulim idesh apo diskutim për lidershipin opozitar, por për veprim. Me gjithçka kupton termi veprim. Çdo marrëveshje, çdo gjysmë pakti, çdo çerek fjale për çdo gjë është dënim përfundimtar për atë që sot prezantohet si opozitë.

Edhe ata që sot janë në krye të institucioneve të opozitës paralamentare, njëri non grata e tjetri i akuzuar se mund të arrestohet, e dinë shumë mirë se vetëm veprimi kundër qeverisë është rruga e vetme politike, jo për Shqipërinë, por për të ruajtur stabilitetin e subjekteve të veta.

Përputhja e këtyre interesave me interesin imediat të përgjithshëm që është largimi i kësaj qeverie përbën një momentum që duhet mbështetur.

Sigurisht sfida e një shteti fals si Shqipëria nuk mbaron këtu, por te kontrolli financiar i të gjithëve atyre që kanë qenë pjesë e lojës së banditimit të deritanishëm.